.

vije ndarëse

Postuar më: 11/12/2014

Modernizimi i shtetit, rruga kundër korrupsionit

DOKUMENTET E BASHKANGJITUR

Modernizimi i shtetit, rruga kundër korrupsionit

Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Forumin Kombëtar Kundër Korrupsionit, Tiranë, 10/12/2014

—###—

I nderuar zoti Kryeministër,

Kolegë ministre e ministra, ambasadorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe biznesit,

Njihet botërisht që, bashkë me drejtësinë, shëndetësia perceptohen si dy nga sektorët më të korruptuar në Shqipëri.

Por, specifikisht, shëndetësia për sa kohë ka një shërbim që ofrohet drejtpërdrejtë, nëpërmjet më shumë se 15 mijë profesionistëve në mënyrë të përditshme, të cilët padyshim duhen përgëzuar dhe falenderuar për punën e mirë që bëjnë, raportet me qytetarët janë shumë më të mëdha dhe shumë më kapilare. Dhe për më tepër, në shoqërinë shqiptare, çështjet e marrëdhënieve në shëndetësi dhe ato të korrupsionit specifikisht, gërshetohen me diçka që lëviz midis peshqeshit, rryshfetit dhe bakshishit.

Në këtë kontekst, përpara 13 (trembëdhjetë) muajsh, ne jemi angazhuar se midis të tjerash, pikërisht për të luftuar në mënyrë të shënjestruar korrupsionin në kujdesin shëndetësor në Shqipëri:

  • Do të ulim çmimin e barnave;
  • Do të ofrojmë shërbime të reja dhe cilësore që kufizojnë mundësinë për korrupsion;
  • Do të kemi luftë të papajtueshme ndaj korrupsionit dhe mashtrimeve në sistem, duke i konsideruar ato si krime kundër jetës;
  • Do të monitorojmë rastet korrupsion të raportuara nga publiku dhe media;
  • Do të luftojmë për uljen e pagesave informale;
  • Do të zgjerojmë përdorimin e qeverisë elektronike dhe transparencës.

Përpara 13 muajsh, në një aktivitet të ngjashëm, unë kam paraqitur të dhënat e para, ku ne perceptonim, që të paktën në mënyrë të padrejtë, të paktën 20 milion dollarë në tregun e barnave, rrinin në mënyrë të padrejtë tek distributorët dhe nuk shkonin në përfitim të qytetarëve.

Çështja e çmimit të barnave ka qenë një çështje e diskutueshme gjatë gjithë këtij viti, madje ndërkombëtarisht, -guxoj të them ndërkombëtarisht  derisa për këtë çështje specifike, kam pritur në zyrën time disa nga ambasadorët, që janë edhe sot në këtë konferencë.

Këto ditë, ne jemi në fazën e negocijimit të çmimit të barnave. Çfarë po ndodh këtë vit?

Unë dua të ilustroj vetëm me 5 (pesë) barna të përhapur në përdorim në Shqipëri, ku vetëm nga deklarimi i çmimeve që kanë bërë vetë kompanitë, kemi ulje të çmimit të barnave mesatarisht me 25%, por me raste: 63%, 28%, 30% e me radhë, dhe po flas për kompani si Sanofi, Abbott, Pfizer, Glaxo (GSK), apo edhe kompani të tjera me shumë emër.

Pra, dua t’i bëj të ditur publikut: Ajo çfarë kërkuam në prill (2014) me tenderin e barnave, ajo çfarë miratuam në Kuvendin e Shqipërisë me Ligjin e ri të Barnave, tregon se kishim të drejtë kur kërkonim dhe insistonim se në tregun e barnave ka një rezervë financiare të konsiderueshme për buxhetet tona.

Çfarë do të thotë kjo?

  • Barna më të lirë në spitalet tona, që do të thotë, me të njëjtin buxhet do të furnizojmë më mirë spitalet tona.
  • Barna më të lirë në listën e rimbursimit, që do të thotë, do të rimbursojmë më shumë, por padyshim, barna më të lirë edhe nga ato që qytetarët i blejnë përditë.

Sigurisht që, kjo është një fazë e parë, sepse ju fola vetëm për deklarimin e kompanive. Ndërkohë që, ligji i ri i krahason këto çmime edhe me çmimet e 5 (pesë) vendeve referente.

Sigurisht që kemi marrë përsipër shërbime më cilësore, sepse besojmë se:

  • Në radhë të parë, nëse furnizojmë shumë më mirë spitalet tona me barna;
  • nëse laboratoret tona kanë kite dhe reagentë;
  • nëse pajisjet diagnostikuese, – që i kemi vënë në një regjim shumë të mirë mirëmbajtjeje, – nuk dalin jashtë funksionit;

hapësirat potenciale që të krijohen radhë dhe që nga radha pastaj, njerëzit tek shëndeti të kërkojnë kapërcimin e radhës në mënyrë të padrejtë apo informale, ngushtojnë shumë hapësirat për korrupsion.

Megjithatë, ne jemi angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe po monitorojmë të gjithë aktivitetin spitalor dhe për këtë arsye:

Së pari, kemi krijuar në spitalet tona qendra, ku marrim informacion përditë, – pyesim mjekët, pyesim infermierët, pyesim pacientët, pyesim dhe familjarët. Megjithatë, konstatojmë që nga kjo fazë e parë, informacioni që marrim është ende jo i plotë, dhe prandaj me kolegun Çuçi (Ministri për Çështjet Vendore z. Bledi Çuçi) po pilotojmë me atë “Sistemin me SMS”, që u paraqit, që t’i marrim pacientëve informacion edhe pasi largohen nga spitalet, sepse konstatojmë se, ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm se ka shumë para nën dorë në shëndetësi, kur janë ende pa dalë nga spitalet, ngurojnë ta tregojnë, ta denoncojnë apo ta ndajnë me ne.

Ndërkohë, një problem tjetër që ne marrim në ministri në mënyrë të rregullt si informacion, jo dhe aq shumë pagesat nën dorë, se sa referimi në mënyrë të padrejtë në kabinetet private, që funksionojnë në shëndetësinë shqiptare pasditeve.

Sigurisht, kjo shëndetësi edhe jo publike do zhvillohet, ne e kemi komplementare, pikërisht për të ofruar shërbim më të mirë për qytetarët.

Për të shmangur radhët e gjata të pritjes që kemi, prej disa ditësh, siç është bërë e njohur edhe për publikun, shërbimet kardiologjike Qeveria po i blen edhe tek privati.

Pra, po fillojmë atë që kemi thënë: Do ta blejmë ne shërbimin për qytetarin shqiptar, ai s’do të paguajë, do ta blejmë.

Sigurisht, do të financojmë tek publiku, – të vetëdijshëm që s’jemi në gjendje t’i mbulojmë nevojat tona, – do ta financojmë edhe tek privati. Ndërkohë, të gjitha ankesat që paraqiten në Ministri, me letër, me linjën e gjelbër, me sms apo në postën elektronike, i ndjekim përditë, kështu, kemi trajtuar rreth 2 mijë ankesa që vijnë në Ministri gjatë vitit të fundit.

Ndërkohë, gjashtë skuadra monitoruese, në 150 shërbime spitalore të vendit, po punojnë që nga muaji Tetor, do të punojnë për 12 muaj, për të marrë informacion të përditshëm, – janë ngritur këndet ku merret ky informacion.

Problemi, sigurisht që ngelet më kryesor, përpjekja që duhet të bëjmë bashkë me trupën e profesionistëve të shëndetësisë, sepse këtu kemi një debat dhe një diskutim, – që vazhdojmë ta zhvillojmë, – ne gjykojmë në mënyrë të shëndetshme. Mjekët dhe infermierët mendojnë masivisht, se nuk është pagesa nën dorë problemi kryesor i shërbimit shëndetësor. Sigurisht, ata janë në të drejtën e tyre, për sa kohë, përditë, shërojnë jetë njerëzish; për sa kohë, përditë, japin shërbim shëndetësor.

Në 10 muajt e parë të vitit 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, në spitalet e Tiranës ne kemi dhënë analiza, diagnostika imazherie, operacione kirurgjikale, 30% më shumë. Por, ende mbetet një hendek i madh, midis perceptimit të qytetarëve dhe asaj çfarë ndodh realisht e raportuar deri tani.

Sigurisht, element shumë i rëndësishëm është edhe qeverisja elektronike.

Ne, që nga prilli, listën e barnave të rimbursueshme e kemi online me një portal. Po ndërtojmë një sportel elektronik, që të gjitha kompanitë që kanë lidhje me tregun farmaceutik, të mund të komunikojnë online.

Po monitorojmë shpenzimet spitalore, po monitorojmë inventarin spitalor dhe ndërkohë me kontratat e reja që do të lidhim me spitalet dhe farmacitë, do t’u kërkojmë atyre:

P.sh., për mjekët e shërbimit parësor, nëse do të kenë më shumë se 40% të barnave që kanë dhënë në recetë, jo alternativa më e lirë, do të kenë masa ndëshkuese.

Besoj se janë rezultatet e para të prekshme të një përpjekje që bëhet përditë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Megjithatë, dua ta mbyll duke përgëzuar profesionistët e shëndetësisë, për përkujdesin që i japin qytetarëve përditë.

Faleminderit!

—###—