.

vije ndarëse

Postuar më: 30/12/2014

Mbulimi universal shëndetësor, objektivi ynë #UHC

Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Ceremoninë e Organizuar në Pallatin e Brigadave me Shërbimet Shëndetësore me Performancë më të mirë gjatë 2014.

Tiranë, 29/12/2014

—###—

Mirëmbrëma!

Besoj se, edhe në emrin tuaj, falenderojmë Kryeministrin Edi Rama, që vendosi të organizojë këtë ceremoni simbolike dhe shumë domethënëse, për të ndarë këto momente gëzimi të festimit të festave të fundvitit, me tre nga shërbimet spitalore që u përzgjodhën si ato më të mirat, dhe pastaj, për të përfituar nga shpërblimi që u bë për festat e fundvitit, për grupe të ndryshme sociale apo grupe të ndryshme profesionistësh.

Sigurisht, edhe pse është një moment festiv, unë besoj se është momenti për të bërë një vlerësim dhe një bilanc shumë të shkurtër të asaj çfarë I’a kemi dalë bashkarisht të bëjmë për këtë vit.

Sigurisht që është e prekshme, është e dukshme, ju e jetoni përditë:

  • kemi realizuar një volum më të madh shërbimesh spitalore, që do të thotë edhe më shumë analiza laboratorike;
  • edhe më shumë ekzaminime imazherike;
  • edhe më shumë ndërhyrje kirurgjikale;
  • kemi furnizuar më shumë spitalet tona me barna dhe materiale mjekësore;
  • i’a kemi dalë të kemi një funksionim në vijimësi të pajisjeve kryesore diagnostikuese dhe terapeutike.

Por sigurisht, kemi bërë edhe investime të reja. Kemi mbuluar praktikisht me investime të gjitha hallkat që ka kujdesi shëndetësor: edhe promocionin, edhe parandalimin, edhe diagnostikimin, edhe kurimin, edhe rehabilitimin, por edhe kujdesin paliativ. Dhe ky është një moment që ne mund të vlerësojmë se në këto 16 muaj, i’a kemi dalë të përmbushim angazhimet kryesore të programit të qeverisë:

  • Reformën e barnave;
  • Punën për të ngritur një shërbim të ri, për të themeluar një shërbim të ri të Urgjencës Mjekësore;
  • Optimizimin e shërbimit spitalor; edhe,
  • Shëndetësinë elektronike.

Por, unë besoj se këtë vit, kemi hedhur baza të rëndësishme për të filluar  investime themelore në shëndetësi, – do të fillojnë praktikisht vitin e ardhshëm:

  • është një kredi prej 17 milion euro e Bankës së Këshillit të Europës (CEB) që do të mbështesë fuqizimin e QSUT-së;
  • janë 5 milion euro kredi italiane për shërbimin e Traumës (Spitali i Traumës);
  • janë 5 milin euro financim i Qeverisë Italiane për shërbimin parësor.

Por, unë besoj se këtë vit kemi hedhur baza të shëndosha edhe për të zgjeruar partneritetin me institucionet jo publike shëndetësore, por edhe me investues të ndryshëm privatë, sepse jemi të vetëdijshëm se me burimet tona, nuk mund të plotësojmë shpejt boshllëkun e madh që ekziston dhe që është krijuar në vite.

Sigurisht që, shumë nga ata që mund të na ndjekin, mjekë dhe infermierë, mund të bëjnë edhe pyetjen, e kanë bërë dhe gjatë gjithë këtyre ditëve: Pse janë zgjedhur këto tre shërbime dhe pse jo tre të tjerë?

Unë besoj se, ajo që u vendos në Qeveri, që të fillojmë të shpërblejmë edhe rezultatet edhe arritjet në bazë të punës, është një nismë që duhet ta mbështesim dhe ta zgjerojmë vitet e ardhshme.

Nëse do të niseshim nga çfarë ka në Program (Programi Qeverisës), sigurisht që shërbimet që merren me sëmundjet e zemrës dhe ato tumorale, kanë qenë më shumë në fokus, sepse i ka programi dhe kanë pasur edhe më shumë mjete.

Por ne, bashkë me kolegët dhe bashkëpunëtorët në ministri, vendosëm të çmojmë ato shërbime për çfarë kanë bërë edhe me ato çfarë kanë pasur në dispozicion, por sigurisht, edhe në momente të rëndësishme kritike, që janë përballuar gjatë vitit.

  • Sigurisht, u ndeshëm me një problem kur ra zjarri në burgun e Rrogozhinës dhe duhet të trajtonim të sëmurë, që ishin dhe të burgosur;
  • Përballuam me sukses në muajin shkurt, epideminë e gripit, kur arriti një kurbë më shumë se ajo normalja;
  • Apo, ju e dini fort mirë që, në stinën e verës, në spitalet tona, kryesisht bregdetare, urgjenca, por sidomos ajo pediatrike, përballojnë flukse të jashtëzakonshme.

Këto kanë qenë ato vlerësime, që ne gjykuam kur vendosëm bashkarisht, të zgjedhim midis punës shumë të mirë, që është bërë këtë vit në shërbimin tonë shëndetësor dhe atij spitalor, këto tre shërbime.

Sigurisht që, kemi zgjedhur të punojmë në një sektor, ku praktikisht, e mira nuk ka fund. Sigurisht që, unë marr përditë shqetësime, të cilat njerëzit i kërkojnë, sepse unë besoj, që qytetarët shqiptarë kanë të drejtë për një kujdes shëndetësor më të mirë, dhe e meritojnë një të tillë.

Por, nëse janë pakësuar ankesat se s’ka barna apo se pajisjet janë të prishura, sigurisht që njerëzit kërkojnë më shumë.

Mbrëmë, pas mesnate, më vjen nga Kryeministri një mesazh: Një nënë në pediatrinë e Tiranës, kishte shqetësime, sepse nuk ndërroheshin siç duhet çarçafët, ndërkohë që kishte vajzën shumë sëmurë.

Pra, dua të them, që përtej asaj që perceptojmë ne se çfarë bëjmë, duhet të kemi parasysh edhe se si na percepton publiku, – jemi të gjithë përballë syve të publikut dhe unë besoj se ajo çfarë bëmë këtë vit, që me një rritje buxheti, – që me një rritje normale buxheti këtë vit u rrit me 8%, – kemi bërë më shumë, do të thotë që: me të njëjtat burime, në rradhë të parë njerëzore, financiare, por edhe mjetesh, sistemi ka mundësi të ofrojë edhe më shumë.

Besoj se, vitin e ardhshëm, do të duhet të bëjmë më shumë në kujdesin parësor, do të fillojmë programin e madh të Kontrollit Shëndetësor Bazë, pa pagesë, me të cilin, veç të tjerash, do të ringjizim një marrëdhënie njerëzore shumë më të mirë midis qytetarëve dhe sistemit të kujdesit shëndetësor.

Duam të fokusohemi këtu, pikërisht tek qytetari, sepse në Kontrollin Shëndetësor Bazë (pa pagesë për grupmoshat 40-65 vjeç) kemi qytetarët, s’i kemi akoma pacientë; kemi shëndetin, nuk kemi akoma sëmundjet.

Dhe prandaj, duam që përveç mënyrës tradicionale, ku gjithçka është drejtuar rreth sëmundjes, ta orjentojmë drejt shëndetit.

Sepse praktikisht, ajo çfarë kemi angazhimin kryesor, Mbulimin Universal, të financuar nga taksimi i përgjithshëm, do t’ia arrijmë padyshim, por na duhet të fokusohemi shumë tek parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm.

Unë nuk dua të zgjatem edhe më shumë. Dua që nëpërmjet jush, t’i uroj të gjithë personelit shëndetësor të Shqipërisë, në shërbimin publik dhe atë jopublik, Gëzuar Vitin e Ri, Gëzuar festat e fundvitit dhe padyshim, më shumë përpjekje vitin e ardhshëm.

—###–