.

vije ndarëse

Postuar më: 04/12/2020

Mbërrijnë testet e shpejta, Manastirliu: Nga dita e hënë fillon testimi i shpejtë në Tiranë, rrisim kapacitetet e testimit

Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu

 

04 Dhjetor

 

Përshëndetje të gjithëve!

Jemi në këtë komunikim periodik për të informuar qytetarët për punën që sistemi shëndetësor është duke bërë me qëllim kufizimin e përhapjes së Covid 19, si dhe masat që po ndërmarrim në përballje me këtë pandemi.

Tashmë thuajse prej 10 muajsh, mjekët, infermierët, skuadrat e epiodemiologëve të Urgjencës Kombëtare, laboratëve dhe i gjithë ekipi i shëndetësisë janë në një përballje të pazakontë, të mundimshme e të stërgjatë me Covid 19.

Gjej rastin t’i falenderoj edhe një here, sepse nuk kanë qenë muaj të lehtë në këtë përballje, por edhe sepse dua që t’i inkurajoj, t’i motivoj dhe t’i mbështes për atë çfarë do të sjellë situata në vijim, pasi nuk do të kemi muaj të lehtë në këtë përballje me epideminë Covid 19.

Puna jonë nuk ka ndalur në asnjë moment, për të garantuar mbrojtjen, mbështetjen e stafeve mjekësore, rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor, me qëllim për t’ju përgjigjur nevojave për kujdes shëndetësor për çdo qytetar shqipëtar.

Për mjekët, infermierët, laborantët, epiodemiologët, stafet tona të Urgjencës Kombëtare, të gjithë stafet e shërbimeve mbështetëse në frontin e parë të luftës me Covid 19, janë mbështetur me bonusin special të vendosur nga qeveria shqipëtare që në monentin e parë të përballjes me këtë pandemi. Një fond prej 8 milion eurosh deri më sot është dedikuar pikërisht për mbështetjen speciale për stafet tona në terren, në spitale dhe në stafet e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor.

Kemi siguruar dhe do ta bëjmë deri në fund mjete e mbrojtjes personale për stafet tona mjekësore. Kemi dyfishuar kapacitetet me shtretër në dy struktura të reja në Tiranë, dhe sot kemi 550 shtretër në funksion në 4 spitalet Covid, 1600 shtretër për përballimin e situatës me përfshirjen sipas skenareve në spitalet rajonale.

Forcuam kapacitetet spitalore me pajisje mjekësore për fuqizimin e spitaleve covid dhe spitaleve rajonale për përballimin e epidemisë, jo vetëm në pikëpamje të muajve të parë dhe në afatshkurtër, por gjithashtu dhe në përballje me vjeshtë-dimrin në mbështetje pikërisht të planit tonë vjeshtë-dimrit.

Sistemi ynë shëndetësor në fillim të kësaj epidemie numëronte rreth 200 respiratorë dhe ventilator, nëse i referohemi muajit Mars. Sot në sistemin tonë, në spitalet covid dhe në spitalet tona rajonale kemi 483 respirator invaziv dhe jo invazin, respirator transporti të dedikuar pikërisht në funksion të mbështetjes të terapive intensive në strukturën tonë spitalore në të gjithë vendin.

Kemi siguruar prej momentit të parë dhe në vijim terapitë e mjekimit dhe medikamentet sipas protokolleve në shërbimet spitalore të njëjta këto protokolle me vendet e tjera pa asnjë mungesë dhe falas për qytetarët.

Kemi garantuar barnat falas për pacientët me simptoma të lehta dhe të moderuara pranë mjekut të familjes, pra gjithmonë për pacientët bazë të trajtimit ambulator në banesë, duke garantuar dhe financimim për 2021 me një fond prej 1.2 miliardë lekë të vendosura në buxhetin e shëndetësisë për vitin 2021.

Ndërkohë që kjo mbështetje ka nisur prej muajit nëntor dhe qytetarët nëpërmjet mjekut të familjes janë duke përfituar falas barnat sipas formave të sëmundjes të vlerësuara nga mjeku bazuar në udhëzuesit e miratuar nga Komiteti i Ekspertëve.

Jemi angazhuar ashtu sikurse ju kemi informuar në disa drejtime për të patur vaksinën anti-Covid në kohë dhe siç jemi zotuar do ta ofrojmë falas për qytetarët.

Por, sot jemi këtu me një tjetër angazhim i cili bëhet realitet. Ashtu sikurse e kemi thënë dhe përcaktuar bazuar në strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit, në funksion të kufizimit të përhapjes së infeksionit, kemi marrë të gjitha masat në kohë për përfshirjen e testimit të shpejtë të antigenit.

Përpos rritjes së kapaciteteve që përgjatë këtyre muajve kanë ndodhur, me metodën klasike, atë të PCR, ku sot janë funskionalë 4 laboratorë publikë në funksion të këtij testimi.

Përsa i përket përfshirjes së testimit të shpejtë të antigenit, kemi siguruar në kontratën e pare, 100 mijë teste të shpejta të antigenit, teste të cilat janë të njohura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që janë tashmë të disponueshme në vendin tonë, gati për t’u vendosur në funksion të testimit diagnostik dhe hetimit epidemiologjik.

Testimi i shpejtë i antigenit do të nisë nga dita e hënë, fillimisht në Tiranë dhe do të jenë epidemiologët që do ta kryejnë në kuadër të hetimit epidemiologjik në vatrat e evidentuara që do të vlerësohen prej tyre dhe që kanë një rëndësi kyçe për transmetimin e infeksionit, bazuar në udhëzuesin e miratuar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Në fazën e parë, duke filluar nga dita e hënë fillon testi i shpejtë i antigenit, që do të jetë i disponueshëm dhe në një shtrirje të shpejtë në të gjithë Njesitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor.

Kujtoj dhe informoj dhe qytetarët që Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor janë strukturat që aktualisht kryejnë testin klasik, atë të PCR dhe këto 10 muaj është kryer pikërisht nga strukturat tona të epidemiologëve, laborantëve, infermierëve, në njesitë e kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin.

Prej datës 20 Dhjetor testimi i shpejtë i antigenit do të shtrihet dhe në disa pika testimi të përcaktuara në disa qendra shëndetësore në Tiranë. Dhe më pas sipas një kalendari do të shtrihet dhe në disa struktura të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin.

Planifikimi për të bërë testimin e shpejtë të antigenit do të bëhet nga mjeku i familjes, sipas fashave orare të sistemit të ekzaminimit elektronik, gjë që lehtëson organizimin, shmang grumbullimet dhe siguron parametrat e grupuar të mbrojtjes së shëndetit.

Pikat e testimit do të bëhen të njohura në ditët në vijim dhe do të mbulojnë një numër të caktuar banorësh, sipas një ndarjeje gjeografike që tashmë është bërë në funksion të mbulimit të nevojave, në funksion të testimit diagnostik dhe hetimit epidemiologjik në terren.

Prej datës 20 Dhjetor testet e shpejta të antigenit, do të vihen në dispozicion dhe të spitaleve rajonale për rastet e urgjencave të dyshuara, përpos testimit që aktualisht bëhet me metodën klasike të PCR.

Koha e nevojshme nga dita e hënë deri në 20 dhjetor është përcaktuar që të vihet në funksion të trajnimit të të gjitha stafeve tona, edhe njësive vendore të qyteteve të tjera dhe të pikave në poliklinika apo qendra shëndetësore ku do të bëhet ky testim i shpejtë dhe sigurisht edhe për stafet që do të kryejnë këtë testim të shpejtë në strukturat e urgjencave në spitalet tona rajonale.

Testi i shpejtë i antigenit është vendosur të përfshihet në funksion të rritjes së kapaciteteve të testimit, në funksion të qëllimit madhor për ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit dhe sigurisht për të garantuar më shumë shpejtësi, për të rritur aksesin në testim, duke garantuar këtu edhe sigurinë në sensibilitetin dhe specificitetin e këtij testimi të shpejtë.

 

###