.

vije ndarëse

Postuar më: 20/06/2020

Manastirliu në spitalin e Durrësit: Fuqizojmë terapitë intensive në spitalet rajonale 

Gjatë inspektimit në spitalin e Durrësit, Ministrja Manastirliu deklaroi se është domosdoshmëri zbatimi rigoroz i protokolleve të sigurisë për kufizimin e përhapjes së COVID19

Durrës, 20 qershor – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi spitalin rajonal të Durrësit, ku deklaroi se është domosdoshmëri zbatimi rigoroz i protokolleve të sigurisë për kufizimin e përhapjes së COVID19.

“Spitalet janë ato vende ku ka një fluks të madh pacientësh, që ka një lëvizje dhe intensitet shumë të madh, ku është ekspozimi më i madh ndaj Covid19. Është një përgjegjësi e përbashkët, e para sigurimi i gjithë materialeve mjekësore personale që nuk kanë munguar në asnjë moment për mjekët dhe infermierët tanë dhe gjithë personelin shëndetësor por edhe vigjilenca maksimale në zbatimin e protokolleve të sigurisë”, u shpreh ministrja.

Gjatë vizitës saj në spitalin e Durrësit, Manastirliu theksoi se po vijon fuqizimi i spitaleve në të gjithë vendin dhe i terapive intensive.

“100 shtretër reanimacioni janë duke u vendosur në spitalet tona universitare dhe rajonale. Jo vetëm shtretërit e reanimacionit por një seri aparaturash duke filluar nga respiratorë të lëvizshëm, eko, aspirator për salla, pra një seri setesh të cilat fuqizojnë terapinë intensive. Strategjia jonë është fuqizimi i njesisve të reanimacionit në të gjitha spitalet tona, edhe ato rajonale”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë nga Durrësi ka apeluar familjarët e pacientëve në spitale që të shmangin sa më shumë vizitat në spitale, të respektojnë rregullat e vendosura, pasi prezenca e tyre është një rrezik më tepër për përhapjen e infeksionit.

“Edhe për familjarët të vijojmë me të gjithë forcën tonë për të bindur dhe ndërgjegjësuar që prezenca e tyre në spital është një risk më tepër për përhapjen e infeksionit. Asnjë lloj neglizhence dhe tolerance në zbatimin e rregullave dhe protokolleve të përcaktuara”, apeloi Manastirliu.