.

vije ndarëse

Postuar më: 08/01/2015

Intervista e Ministrit Beqaj për Gazetën ‘Dita’: “Bilanci im dhe e vërteta e videos”

Beqaj: “Bilanci im dhe e vërteta e videos”
Çfarë është hequr nga videoja origjinale që u shpërnda në rrjet dhe një intervistë në “Dita” me ministrin: “Ç’ndodhi atë natë në urgjencë?”
Dhe një risi: Të gjithë mjekët në testim
Cila është “shëndetësia falas” dhe si do të zgjerohet. Fushat që janë përmirësuar. Çmimet i barnave, pajisjet laboratorike, ekzaminimet, regjistri elektronik i shëndetit.
Ngjarja e videoskandalit,disa detaje që “kanë shkarë”…

Intervista ekskluzive e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj me gazetaren Entela Resuli për Gazetën “Dita” (8/1/2014)

—###—

Teksa ngjisja shkallët për në katin e dytë të Ministrisë së Shëndetësisë, më vinin në mendje një mijë e një gjëra për ta pyetur ministrin. Më shumë isha e mllefosur për këtë sistem shëndetësie që kemi dhe që ka vite që flitet e flitet, aq sa të duket sikur çdo gjë vërtitet rreth një qarku të mbyllur dhe asgjë nuk ndryshon, pavarësisht emrave që drejtojnë këtë dikaster të rëndësishëm në vendin tonë. Mjafton që njeri prej nesh të tregojë një histori me spital e me mjek, dhe personi tjetër ka gati dhjetë ndodhi të tjera të ngjashme që flasin për gjendjen e degraduar të këtij sistemi dhe papërgjegjshmërinë e bluzave të bardha. Për të mos folur për çmimet e barnave, mungesën e tyre, parat nën dorë, sekserët që i vijnë rrotull spitalit në pritje të vdekjes së radhës, dhe renditja nuk përfundon, sado që ta zgjasim.

Në takimin e parë me këshilltarin për mediat të ministrit, që në minutat e para mësoj shumë anë të disa ngjarjeve që kanë ndodhur këto ditë dhe kanë prekur në zemër shëndetësinë. Sipas tij, media vërtitet rreth një cektësie dhe askush nuk shkon më tej për të mësuar të vërtetën. Lajmet merren shabllon, ashtu siç i thotë i pari që i shpërndan dhe në publik diskutohet versioni i parë, pa marr parasysh shpjegimet që vijnë më pas. Dhe kur diçka e merr orteku, ruhu!

Të jemi të ndërgjegjshëm, situata në spitale nuk është ajo që ka qenë. Shumëçka ka ndryshuar dhe ministri meriton një fjalë të mirë për këtë. Një fushë me kaq probleme pa diskutim që do kohën e vet, por njerëzit, kur vjen puna për Jetën, janë të paduruar. Dhe me të drejtë!

Ndërsa për vetë ministrin Beqaj, i cili na pret në zyrë pavarësisht angazhimeve të shumta, vërtet që shëndetësia ka shumë halle e kusure për të hequr, por ai mendon se i ka vënë gjërat në vijë për të ndërtuar një sistem në shërbim të pacientëve. Me kryeministrin Rama pranon se ka komunikim të shpeshtë dhe normal, po kaq të shpeshtë ka edhe komunikimin me njerëzit, sidomos me ata që takon në rrugë. Z.Beqaj është nga ata ministra që ecën shpesh në këmbë dhe në këto ecejaket pranon se takon edhe njerëz, të cilët, më së shumti i qajnë ndonjë hall. Nuk është penduar që ka marrë përsipër të drejtojë një institucion si Ministria e Shëndetësisë dhe ka energji të mjaftueshme për t’i çuar deri në fund premtimet dhe punët që ka marr përsipër. Dita, zhvilloi një bisedë me ministrin Beqaj, pas gjithë këtij rrëfimi të gjatë nuk themi që janë zgjidhur të gjitha hallet, por ca borxhe të trashëguara janë larë. E megjithatë ata që luftojnë me jetën në shtretërit e spitaleve nuk kanë nevojë për kaq.

-Z. Ministër, këto ditë shëndetësia ka qenë në qendër të vëmendjes në media, a jeni ndjerë i sulmuar?
Sigurisht që në momentin që angazhohesh në politikë kur merr detyrën e ministrit, por edhe me eksperiencën disa vjeçare që kam në politikë, nuk është e papritur të kesh sulme që vijnë në këtë lloj profesioni. Besoj se në ditët e para të vitit 2015 ka pasur një ndjeshmëri të madhe të medias dhe për rrjedhojë edhe të opinionit publik për shëndetësinë, e cila në gjykimin tim mendoj se ishte goxha e stisur. Me këtë nuk dua të them që nuk ka probleme në shëndetësinë shqiptare. Por edhe kjo mënyrë dhe pastaj reagimi dhe ndjeshmëria e opinionit publik, më bëri të kuptoj që kemi me sa duket edhe në probleme në komunikim me publikun për çfarë kemi bërë.

-Çfarë keni kuptuar më shumë gjatë këtyre ditëve dhe aktualisht, si paraqitet gjendja e sistemin shëndetësor shqiptar?
Ne në këto 14 muaj qeverisje, rezultojmë me një bilanc që nuk është i keq nëse unë do ta paraqisja edhe pas katër vitesh si ministër. Por gjithashtu gjatë këtyre ditëve kuptova që perceptimi i publikut është ndryshe nga ajo që kuptojmë ne që merremi përditë me këtë punë. E dyta kuptova që nuk ka kufi për atë që arrin në shëndetësi. Edhe nevojat dhe kërkesat e njerëzve, me të drejtë nuk kanë kufij. Së treti, mesa duket kur vjen puna te shëndeti, njerëzit edhe kur nuk kanë hallin e vet po kur mendojnë se mund ta kenë të papriturën që nesër, e kanë pak të vështirë të pranojnë se duhet kohë për të filluar, ekzekutuar dhe përfunduar një projekt.

E katërta, pa dashur të kërkoj të keqen jashtë shëndetësisë, me sa duket ka një mënyrë që opinioni manipulohet shumë lehtë. Po marrë shkas nga një fjali që iu vu në gojë drejtoreshës së QSUT-së që në fakt nuk e tha dhe tani fillohet dhe spekulohet me këtë. Apo siç ishte rasti i një personazhi që u krijua, një personazh që nuk ekzistonte, i një infermiereje, e morën të gjitha mediat dhe u morën me infermieret, por më vonë doli se që nuk ishte reale (fjala është për personazhin Infermierja Beti të gazetës Tema), sigurisht ky nuk është problemi im. Unë kam për detyrë që të merrem me përmbajtjen e atyre që thuhen, edhe pse personazhi është i vërtetë apo i pavërtetë. Dhe përpiqem të analizoj se çfarë ka aty reale. Sigurisht që ky moment, padashur të zhvillojmë konspiracion, përkon me një moment tjetër shumë të ndjeshëm për shëndetësinë që është procesi i miratimit të listës së re të barnave ose më mirë të themi i çmimeve të reja të barnave.

-Dhe për të qëndruar të çmimet e barnave. Gjatë fushatës ju keni thënë se çmimet e ilaçeve në Shqipëri do jenë sa në vendet e origjinës. Ndërkohë është njoftuar një ulje thelbësore për disa kategori barnash… Cila është strategjia e ministrisë për këtë sektor?
Jemi në një moment kur praktikisht po mbyllim negociatat me përfaqësuesit e prodhuesve farmaceutikë se me çfarë çmimi barnat do të shiten në Shqipëri për vitin 2015. Mesatarisht ka një ulje të ndjeshme rreth 25 për qind që mund të themi sot se me të gjitha masat e marra së bashku si ulja e TVSH-së, futja e marzheve të diferencuara, nga shtatori 2013 në fund të janarit 2015 barnat do të jenë rreth 30 për qind më lirë, mesatarisht.

-Të gjitha barnat do të kenë këtë ulje?
Ka edhe 70 për qind, ka edhe 1 për qind, ka edhe barna që nuk do të ndryshojnë, pasi prodhohen lokalisht apo nuk kanë ku të ndryshojnë më, por buxheti i përdorur për të blerë barna në 2013 për nevojat spitalore, për listën e rimbursimit, por edhe për ata qytetarë që blejnë me para në dorë, për 2015 ulet të paktën me 50 milionë dollarë. Pra nëse barnat që ne i kemi konsumuar në 2013 do t’i konsumojmë në 2015, shqiptarët do të shpenzojnë 50 milionë dollarë më pak nga buxheti i tyre, më pak nga buxheti për nevojat spitalore apo më pak në buxhetin me të cilin ne rimbursojmë fondin e rimbursimit.

Ndërkohë, të paktën në shëndetësi nuk e kemi hequr këtë fond. Në shëndetësi nuk është pakësuar fondi, që do të thotë është e sigurtë që ne kemi mundësi që të furnizojmë shumë më mirë spitalet me barna, të kemi një listë më të pasur rimbursimi sepse me para më shumë, do të furnizojmë edhe më shumë. Por edhe ulja e çmimit të barnave për vetë qytetarët shqiptarë nuk është element për t’u neglizhuar. Sepse ne jemi angazhuar që në fillim në program, që barnat në Shqipëri të mos jenë më të shtrenjta se në vendin ku ato prodhohen dhe situata që ne e gjetëm në vitin 2013 ishte e tillë që kishte shmangie të mëdha. Disa herë, edhe në daljet e mia publike, ne konstatonim që çmimi me të cilin shteti shqiptar bie dakord me prodhuesit, dhe vlefta reale me të cilën ato importoheshin në Shqipëri ishin rreth 20 milionë dollarë diferencë që me pa të drejtë nuk shkonin në interes të qytetarëve shqiptarë, po ashtu në mënyrë të padrejtë te distributorët që edhe i keqpërdornin.

-Ç’do të thotë kjo?
Pra ato para përdoreshin për të shpikur aktivitete sponsorizuese për mjekët që të përshkruanin një barnë në vend të një tjetre.

-Edhe njëherë z. Ministër, a mund të themi se cilat kategori të barnave do të kenë ulje?
Të gjitha. Sigurisht po e them sërish. Oksigjeni është barnë, por do të ulet pak sepse është i lirë. Serumet nuk do të ulen sepse janë çmime më të lira në Shqipëri se kudo tjetër. Por ka edhe barna që ulen ndjeshëm. Për shembull barna antihipertensivë, ulen barnat për sëmundjet kardiake, për sëmundjen e Parkinsonit, ulen ndjeshëm çmimet e barnave për sëmundjen tumorale që pavarësisht se shqiptarët i marrin shumë më mirë se çfarë i kanë marrë në spitalet tona dhe teorikisht nuk i paguajnë me para në dorë, por me të njëjta para ne furnizojmë shumë më tepër spitalin tonë onkologjik që shumë më tepër njerëz të trajtohen.

-Po me rimbursimet e barnave si do të veprohet?
Edhe për barnat e rimbursueshme, edhe ato kanë ulje në alternativën e parë që është edhe më e lirë, por që ajo për qytetarin nuk ndjehet, sepse e merr atë 100 për qind të rimbursuar, por ka edhe ulje në alternativat e tjera. Kjo do të thotë se edhe nëse do të vazhdojë të pranojë të paguajnë diçka me bashkëpagesë, do të paguajë më pak. Por ndërkohë, fondi i listës së rimbursimit është 600 milionë lekë të reja më i madh se viti i kaluar, edhe çmime më të ulëta, do të thotë se do të rimbursojmë më shumë.

-Për shkak të ndjeshmërisë që ka fusha e shëndetësisë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me jetën e njeriut, është sot si një ndër fushat më kritikuara nga opozita… kaq e vështirë është të reformohet ky sektor?
Ne kemi bërë një angazhim të madh programor, për të kaluar drejt mbulimit universal të financuar nga taksimi i përgjithshëm; ose ajo që jemi mësuar në Shqipëri, shëndetësi falas.

-E cila për të qenë të sinqertë shihet edhe si mosbesuese?
Sigurisht. Shihet si mosbesuese, por edhe këtu kundërshtimet në gjykimin tim nuk vijnë racionale, dikush thotë që jo s’ka falas, për sa kohë që do ta financojmë nga taksimi i përgjithshëm, do të thotë që kushton. Për sa kohë kemi thënë që do ta blejmë ne shërbimin për të sëmurin. Qytetari do ta marrë pa pagesë, por sigurisht që ajo kushton. Sot mund të themi që pensionistët i kurojmë falas, fëmijët i kurojmë falas, ja pra që paska shëndetësi falas. Nuk qenka një shpikje e PS-së, e Ilir Beqajt apo e qeverisë së Edi Ramës. Ne kërkojmë ta zgjerojmë me dy argumente themelore, me të cilët i qëndrojmë dhe për fat të keq askush nuk ka dashur që të bëhet pjesë e këtij diskutimi që është parimor. Ne vërejmë se më shumë se gjysmën e shpenzimeve që bëjnë shqiptarët në shëndetësi, e bëjnë nga xhepi i tyre; 1 milion njerëz në moshë pune janë të pasiguruar, për pasojë duhet ta paguajnë nga xhepi i tyre kujdesin shëndetësor dhe edhe ai sistem që ne e quajmë kontributiv, në 3/4 e tij financohet nga taksimi i përgjithshëm. Atëherë le të bëjmë këtë krahasim. Ju jeni e siguruar. Unë nuk jam i siguruar. Kontributi ju mbahet sipas të ardhurave që keni, shpenzimet i paguan sipas nevojës që ke. Të dy kemi nevojë kujdesi për të njëjtën sëmundje dhe kjo na kushton 100 lekë. Ju si e siguruar e merrni pa pagesë. Unë do ta paguaj nga xhepi. Por 75 për qind e kujdesit që merrni ju, financohet edhe nga taksat e mia, dhe në Shqipëri, taksa kryesore është tatimi mbi vlerën e shtuar që është një taksë që e paguajmë të gjithë. Ky sistem që duhet të ndryshojë, është problem edhe drejtësie sociale. Mbulimi universal është sot një objektiv i gjithë botës dhe për pasojë për këtë flet edhe Banka Botërore, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Patëm një nismë botërore në 12 dhjetor 2014 të cilës iu bashkuan më shumë se 500 institucione të ndryshme për mbulimin universal. Sepse problemi themelor është që ti që je pa këtë lloj mbulimi, rrezikon shumë kollaj që të biesh në varfëri. Përveç kësaj mënyre, ne që në fillim, madje edhe në programin tonë e kemi thënë qartë që janë disa synime kryesore që duhen zgjidhur pavarësisht se kush është modeli i financimit të shëndetësisë.

Me taksim të përgjithshëm apo me kontribute, barna që në mënyrë të padrejtë janë 30% më shtrenjtë, s’ka pse të ketë. Një shërbim urgjence mjekësore që mungon në vend komplet, s’ka pse të mos jetë. Një sistem proporcioni shëndetësor apo i parandalimit të sëmundjeve s’ka pse të mos jetë. Sigurisht sa më shumë duam mbulimin universal, sa më shumë që kjo të financohet nga taksimi i përgjithshëm, aq më shumë duhet të zhvillojmë përgjegjësitë individuale të qytetarit, duke filluar që nga taksimi i përgjithshëm, të bëjë hapa edhe për shëndetin e vet.

Edhe kontrolli bazë shëndetësor pa pagesë këtë ka në thelb. Për sa kohë ne konstatojmë që në moshën 40-65 vjeçare është një grup moshe të cilët fillojnë edhe u shfaqen këto sëmundje, është një moshë ku shkaktarët e sëmundjes, e invaliditetit dhe me pasojë për kosto sociale dhe ekonomike, atëherë duam t’i ftojmë qytetarët të vijnë të bëjnë kontrollin. Hajdeni një herë në vit të bëni një kontroll shëndetësor. Po u themi shqiptarëve; hajdeni të kontrolloheni që kur jeni të shëndetshëm. Pra, po merremi me qytetarin që nuk është bërë pacient, të vetëdijshëm që dikush do të dalë që 41 vjeç pacient. Por dikush del edhe 6 vjeç. Kjo mënyrë do t’i kthejë shqiptarët më kollaj drejt shërbimit shëndetësor parësor, për të cilin, sot, shqiptarët nuk kanë besim.

Ai përdoret ose nga ata që janë të sëmurë kronikë dhe kanë më shumë nevojë për pjesën administrative të sistemit të referimit, të recetave, por ne, në mendjen tonë, e kemi të shkojmë në spital. Sigurisht pastaj spitalet mbingarkohen. Edhe për problemet që kemi të mbartura, ku në shumë qytete të vogla ka rënë niveli i shërbimit edhe për mungesë të mjekëve, spitalet e mëdha kthehen si poliambulanca. Prandaj ne në program, vendosëm që të kemi pesë programe kryesore, ku do të fokusohemi shumë në dy vitet e para në mënyrë që të shkojmë aty.

-Cilat janë këto programe?
1-Programi shëndetësor bazë pa pagesë.
2-Rithemelimi i urgjencës mjekësore.
3-Optimizmi i rrjetit të shërbimit spitalor.
4-Reforma në tregun e barnave.
Dhe e pesta, fillimi i përdorimit masiv të shëndetësisë elektronike për të kapërcyer edhe barrierat qoftë financiare, por qoftë edhe gjeografike.

-Cili nga këto ka filluar?
Kanë filluar të pesta.

-Dhe deri ku keni shkuar deri më tani me ndryshimin e tyre?
Atëherë, programi shëndetësor bazë pa pagesë fillon këto ditë. Urgjenca kombëtare, ligji është miratuar në 31 tetor dhe në 29 dhjetor është marrë VKM për krijimin e institucionit të ri. Kemi marrë konsulencë nga USAID për ndërtimin e sistemit, kurrikulat, për të futur edhe një profesion të ri midis mjekut dhe infermierit,paramedikët, po i quaj unë dhe paralelisht për të fuqizuar kapacitetet. Kanë ardhur në Shqipëri 20 ambulanca që i shtohen rrjetit tonë, ka ardhur një helikopter i ri që i shtohet njësisë sonë, dhe ndërkohë këtë vit nga muaji Maj deri në Shtator, përgjatë gjithë bregdetit do të funksionojnë qendra shëndetësore të përkohshme për t’u ardhur në ndihmë urgjencave.

-Z. ministër, rastet e ambulancave janë një tjetër problem, ku shpesh nuk kanë munguar edhe akuzat se ato nuk arrijnë në kohë ose nuk paraqiten fare pranë pacientëve që kanë nevojë!?
Edhe në këtë pikë do të ketë përmirësime, pasi po përgatiten programet e trajnimit dhe gjatë gjithë këtij viti do të përcaktojmë modelin se ku do të jenë të vendosura stacionet e autoambulancave në mënyrë që të arrijmë që të jemi për X minuta në çdo zonë urbane kur ka një thirrje dhe për Y minuta në zona rurale.

Sot 70% e rasteve të urgjencave ne na vijnë me automjetet e privatëve. Pra, vetëm 30% vijnë me autoambulanca. Njerëzit nuk e kërkojnë se s’kanë besim ende, nuk kemi një flotë eficente, sepse edhe nëse numrin në total nuk e kemi të vogël, mënyra e shpërndarjes dhe e menaxhimit është e tillë, por do të duhet ta koordinojmë me rrjetin rrugor të Shqipërisë. E treta, është optimizmi i rrjetit të shërbimit spitalor, i cili nuk mund të fillojë në mënyrë reale pa zgjidhur problemin e urgjencës kombëtare; sepse nëse ka sot spitale ku praktikisht nuk ofrohet shërbim spitalor, hapi për ta kthyer në një spital ditor do të bëhet kur ai të pajiset më mirë me infrastrukturë ekzaminuese dhe kur të ketë një distancë të përshkueshme nga aty në një spital tjetër më të mirë brenda minutave që pranohen në shëndetësi. Ndërkohë, edhe për të ulur pak mbingarkesën e QSUT-së, që këtë vit po fillojmë me veprimet e para për ta zgjeruar gamën e shërbimeve që ofrohen atje.

E kemi filluar fillimisht me onkologjinë ku do të hapim brenda pranverës kabinetin e kimio-terapisë, fillimisht për diagnozat më të përhapura në Korçë, në Shkodër, më Vlorë, Elbasan, për sëmundjen e mushkërive do të kemi edhe spitalin “Shefqet Ndroqi”. Besoj se këtë vit do të hapim dhe kabinetin hemo-dinamikës 21 edhe në Shkodër, pra do të dalim për herë të parë jashtë Tirane. Ashtu siç për të plotësuar nevojat që kanë qytetarët, por që ende nuk e kryejnë spitalet tona, kemi filluar bashkëpunimin, në gjykimin tim të mirë, me spitalet jopublike. Publiku është i njohur që tashti, të referuar nga shërbimi ynë që ekzaminime të caktuara të zemrës, bëhen në spitalet jo publike. Kemi marrëveshje me 5 spitale të tilla. Kanë filluar edhe operacione kardiake ashtu siç kemi edhe transplantet e para të veshkës. Kemi buxhet për të vazhduar këtë bashkëpunim dhe për ta zgjeruar këtë edhe në vitin 2015. Tek barnat kemi një ligj të ri të barnave dhe po punojmë për aktet nënligjore në zbatim të tij.

Edhe ulja e çmimeve është edhe si rezultat i dispozitave të reja ligjore që përcaktojnë se çfarë ndodh me vendosjen e çmimit të barnave në treg, barnat xhenerikë nuk mund të jenë më të shtrenjta se barnat origjinatorë dhe për më tepër, duhet të kenë një ulje që ka një nivel të caktuar. Praktikisht sot bari xhenerik nuk mund të jetë më shumë se 80% e barit origjinator. Do të vazhdojmë me vendosjen e recetës elektronike, do të miratojmë edhe një model të recetës në letër sepse kemi detyrimin ligjor që brenda 3 marsit gjithë aktet ligjore të ligjit të barnave të jenë në zbatim. Bashkë me barnat, kemi futur për herë të parë për një mënyrë rregullatore edhe pajisjet shëndetësore që kanë qenë në Shqipëri të trajtuara si çdo lloj malli tjetër.

Tani edhe këto kanë hyrë në një regjim më të kontrolluar dhe për pasojë edhe më të rregulluar të përdorimit do e shtrijmë recetën elektronike brenda mandatit në të gjithë Shqipërinë. Një financim i madh nga qeveria austriake që ka filluar, që quhet projekti e-health rreth 14 mln euro, receta elektronike që po pilotohet në Durrës dhe do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, regjistrimi kombëtar i kontrollit bazë ku aty do të fillojë që të krijohet dosja elektronike çdo qytetari sa herë bën kontrollin bazë dhe fillimi i punës. Që të krijojmë regjistrat elektronikë të gjithë sëmundjes.

Edhe pas kësaj ekspozeje, ai që na lexon do të thotë: Mirë, por unë do të iki nesër në spital dhe çfarë do të bëj? Unë besoj se ne kemi sot një furnizim shumë më të mirë dhe të vijueshëm të spitalit me barna, me pajisje ekzaminuese që funksionojnë, me moskrijim të borxheve të reja sepse kemi pasur borxhe të trashëguara 40 milionë dollarë, të cilat arritëm që t’i shlyejmë.

-Si është përkthyer kjo?
Unë mund t’ju them që në vitin 2014 në spitalin tonë onkologjik janë realizuar 18 mijë akte mjekësore, pra mbi 30 për qind rritja e njerëzve që kanë marrë shërbim. Në kabinetin e hemo-dinamikës në QSUT janë realizuar 3 mijë ndërhyrje dhe 170 financime te privati, jemi në 3 170. Edhe këtu rritja është më shumë se 30 për qind. Mamografi janë bërë në 2014, 2.2 herë më shumë se në 2013-n. Janë volume të përballuara nga shërbimi ynë shëndetësor, ndërkohë që rritja e buxhetit 2014 nga ai 2013 nuk ishte e vogël, por 8 për qind. Ne kemi thënë që në fillim që do t’u tregojmë shqiptarëve fillimisht që me të njëjta burime financiare, njerëzore, infrastrukturore, jemi në gjendje që të japim shumë më tepër. Pasi të tregojmë që gjërat nuk mungojnë në mënyrë bazike, por edhe nuk sorollaten brenda sistemit shëndetësor, nuk detyrohen edhe në mënyrë të shtrënguar të shkojnë pasdite në mënyrë të padrejtë kabineteve private, atëherë do t’i themi që kemi arritur deri këtu, por për të shkuar më tej duhet që shoqëria të marrë më shumë angazhime në shëndetësi.

-Ka pasur gjithmonë akuza se mjekët marrin para nën dorë, apo dhe se operacionet kryhen në klinika private për shkak të dypunësimit të mjekëve. Çfarë informacionesh dhe a e shpëton rritja e pagës së mjekut këtë fenomen?
Duhet t’i kthehemi pak vitit të kaluar, për të theksuar se vendosja e taksës së ndershme i ka dhënë në 2014 çdo infermieri një pagë neto më shumë. Vendosja e taksës progresive i ka dhënë çdo mjeku në 2014 një gjysmë page më shumë krahasuar me 2013. Politika e pagave lidhet me një politikë të përgjithshme të shpërblimeve në Shqipëri. E dyta, unë vetë nuk besoj se ky problem zgjidhet vetëm me rritje pagash. Ne duam që t’u krijojmë mjekëve dhe infermierëve kushte normale për të punuar, të mos u mungojnë mjetet e nevojshme që ata të bëjnë punën e tyre, por edhe për të hequr alibinë që në mungesë të këtyre mjeteve ata të shkojnë dhe t’i detyrojnë pacientët që ose të blejnë, ose të referohen. Ka dypunësim çka ne nuk kemi ndërmend ta ndalojmë, por do të kërkojmë me rigorozitet që mjekët në shëndetësinë publike të përmbushin 100 për qind detyrimet që burojnë nga marrëdhënia dhe kontrata e tyre e punës.

E përsëris, shëndetësia jopublike është zhvilluar në Shqipëri, ne e konsiderojmë pjesë të sistemit shëndetësor shqiptar. Edhe ajo ka problemet e veta, edhe ajo duhet monitoruar. Tashmë që funksionon Inspektoriati Shëndetësor, ai ka detyrë që të merret edhe për këtë pjesë. Por në Tiranë ka prej disa muajsh që Inspektoriati ndjek edhe shërbimin Stomatologjik. Ai shërbim ofrohet kryesisht në mënyrë private.

-Paga e ulët ndoshta i detyron mjekët që të joshen nga parat që marrin nga pacientët, apo nuk mendoni kështu?
Unë besoj se kjo çështja e joshjes nuk mbaron kurrë. Çdo njeri kërkon që të ketë një jetesë më të mirë, të ketë të ardhura më shumë, por për sa kohë që kanë marrë të bëjnë një detyrë dhe të punojnë në një sistem të caktuar, duhet t’u përmbahen rregullave të caktuara.

-2015 shënon dhe fillimin e funksionimit të urdhrit të stomatologut, ndërsa farmacistët dhe infermierët kanë tashmë një urdhër të ri. Si është menduar bashkëveprimi me to për të kontrolluar dhënien e licencave për ushtrimin e profesioneve?
Tek farmacistët kemi një rishikim të ligjit, ndërsa stomatologët kanë dalë për herë të parë në një ligj më vete duke u shkëputur nga urdhri i mjekut që kanë qenë bashkë. Ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin me urdhrat, duke mos ndërhyrë në funksionimin e tyre, por edhe duke kërkuar në mënyrë periodike një raportim më rigoroz të aktivitetit që ata bëjnë dhe duke kërkuar edhe ne që të jemi shumë më rigorozë në zbatimin e sistemit të edukimit në vazhdim, ku gjithsecili duhet të marrë kreditit e nevojshme që ai sistem përcakton.

-Shëndetësia është një fushë me shumë halle. Cila është ajo pikë ku ka nevojë urgjente, që nuk do ta toleroni të jetë në këtë gjendje?
Nevojë për të ndërhyrë në mënyrë urgjente ka nevojë kudo. Dhe pikërisht për të zgjidhur problemet afatgjata unë ju rendita prioritetet tona kryesore. Nëse shkëputemi nga prioritetet, nuk mund të arrijmë diçka më të mirë për shqiptarët në një moment afatmesëm. Prioritar ishte stabilizimi i furnizimit të spitaleve me barna, stabilizimi i spitaleve me materiale mjekësore dhe kryesisht për funksionimin e laboratorëve, funksionimi i pajisjeve bio-mjekësore dhe laboratorike të cilat herë pas here prisheshin. Këto tre elementë i kemi futur në rrugën e zgjidhjes. Moment mendoj shumë i rëndësishëm, është funksionimi në mënyrë më transparente dhe më të rregullt i listave të pritjes dhe referimit të hallkave të ndryshme të sistemit shëndetësor që ne kemi. Aty gjykoj se krijohet amulli, dhe me të padrejtë krijohet një perceptim i gabuar për të gjithë sistemin.

-Zoti Beqaj, Ministria e Arsimit ka nisur një test për të gjithë mësuesit në rang vendi. Sistemi i deritanishëm i verifikimit të njohurive, me kredite, që ka nisur në 2010-ën dhe po vazhdon, a është efikas në rastin e mjekëve dhe të infermierëve?
Po, dhe ne do ta fillojmë së afërmi. Unë e shpall nesër (sot) ku do të dal edhe në një konferencë për shtyp për të dhënë më shumë detaje. Të gjithë mjekët dhe infermierët do t’i nënshtrohen i testimit të njohurive.

-Të gjithë në provim?
Në testim.

-Si do të bëhet e gjithë kjo, cilat janë kriteret?
Për momentin mund të them vetëm kaq, që mjekët dhe infermierët që punojnë në institucionet përkatëse shtetërore do të kalojnë në test.

-Pak ditë më parë në media doli një video e cila edhe nga ju u cilësua si skandaloze ku disa të rinj molestonin një paciente e cila ishte në gjendje të fikti. Cila ishte ndjesia juaj e parë kur e patë atë video?
Kam qenë të shtunën mos gaboj, rreth orës 18:00 në një mjedis miqësor duke parë forumet sociale apo mediat elektronike dhe pastaj pashë që kishte dalë në 2-3 media të tjera.

-Ndjesia e parë?
Ndjesia e parë ishte, në fillim bezdi, për atë që kishte ndodhur. Reagimi i parë ishte njerëzor, pa e vendosur veten si Ministër i Shëndetësisë. Fillimisht ajo gjë e prezantuar në media ishte një gjë e shëmtuar pavarësisht se ku ndodhte. Pastaj sigurisht ishte përgjegjësia që ndodhte aty dhe u vumë në lëvizje për të ngritur një mekanizëm verifikimi ku ishte, si ishte. Ndërkohë rreth orës 20:00 teksa po merresha me këtë çështje, u informova se edhe policia kishte filluar prej disa orësh hetimin e kësaj gjëje dhe kishte informacion paraprak.

-Cilat ishin hapat që ndërmorët pas kësaj ngjarje?
Ne më pas identifikuam se ku ishte kjo dhe ishte në urgjencën e QSUT-së. Më pas nga personazhet që njiheshin, ai i ashtuquajturi sekser ishte fytyrë e njohur në mjediset spitalore dhe më pas në reagimin e parë ishte fakti që ishte e sigurt para qershorit e 2014-s. Që nga qershori kishim tjetër mjedis, tjetër sistem administrimi të asaj pjese, sepse nuk kishte sekretar, nuk kishte një holl ku të rrinin njerëzit, pra ishte shumë më kaotik komunikimi i njerëzve me urgjencën sesa ç’është që nga qershori e këtej. Pastaj, sigurisht që ngritëm një grup pune të drejtuar nga zv/ministrja dhe filluam nga muaji Maj e mbrapa, ekzaminuam regjistrat. Shpejt, të dielën morëm edhe inicialet e vajzës për ta patur më të lehtë kontrollin në regjistër dhe derisa arritëm në datën 26 prill, ku edhe njëherë dua ta konfirmoj, se pjesa shëndetësore në urgjencë, në gjykimin tim ka funksionuar siç duhet. Por edhe kujdesi njerëzor për një paciente minorene nuk ka qenë i mangët sepse nëse është paraqitur në urgjencë në orën 04:00, në orën 04:04 kemi njoftuar patrullën e policisë që të njoftojë familjarët.

-Po, por shihet qartë që vajza është lënë vetëm në atë moment kur është realizuar video?
Po përditë mund të lihet vetëm në urgjencë. Në urgjencë nuk ke 24 orë në kokën e çdo shtrati një mjek apo një infermier. Ke një vlerësim. Bëhet një ekzaminim dhe aty ndiqet. Ajo ka qenë aty për 150 minuta nga pra 4:00 deri në orën 06:30 minuta. Ka një mjek urgjence që e ka ndjekur, një mjek toksikolog dhe një infermier. Janë bërë ekzaminimet dhe mjekimet. Për sa kohë që për 150 minuta është ndjerë mirë, ka bërë ekzaminimet dhe ka dalë, do të thotë që shërbimi është bërë. Ndërkohë ka ardhur me dy bashkëmoshatarë, të cilët i dinin emrin, mbiemrin, atësinë dhe datëlindjen, pra janë të njohur të saj. Në urgjencë nuk fillon proces hetimor se kush e shoqëron të sëmurin. Në urgjencë kujdesemi që i sëmuri të trajtohet siç duhet dhe kur trajtohet në urgjencë, mund t’i rrijë edhe një familjar pranë gjatë marrjes së një medikamenti të caktuar.

-Kjo ngjarje solli në fjalorin mediatik edhe termin sekser funeralesh, çfarë janë këta dhe pse duhet të jenë në ambientet e një spitali?
Është e papranueshme dhe e patolerueshme prezenca e atij personi që tashmë njihet si sekseri, por e përsëris që nga qershori 2014 e në vijim është shumë më e vështirë që ata njerëz që s’kanë lidhje me të sëmurët të futen aty, sepse ka një sistem pritjeje, trajtimi në këto dhoma.

-Pra, ju doni të thoni se historia e sekserëve ka marrë fund?
Historia e sekserëve që hyjnë nëpër pavijone për urgjenca është jashtëzakonisht shumë e kufizuar, historia e sekserëve që rrinë në oborret e QSUT-së nuk ka marrë fund, mund të zgjasë. Nëse ky është halli që i ka mbetur shëndetësisë, sinqerisht po jua them, do të isha shumë i lumtur. Ne merremi me të sëmurët. Sigurisht edhe jo të gjallët kanë nevojë për dinjitetin e tyre. Por në spitale shqiptarët ekzaminohen dhe kurohen. Nëse problemi për shoqërinë shqiptare janë sekserët e funeralëve, do të isha shumë i lumtur për çfarë kemi arritur për shëndetësinë shqiptare.

-Z. Ministër, një letër e “infermieres Beti” ka dalë në media dhe pavarësisht trillit, në të ka shumë vërtetësi. Ju vetë sa reale e konsideroni? A ka realitet në atë letër?
Jo, nuk ka.

-Në asnjë fjali të letrës?
Jo nuk ka realitet. Sa janë të ardhurat mujore?! Për të shkuar në Turqi për pushime nuk të dalin. Por ky është problemi që ka shoqëria shqiptare masivisht?! E ardhura mujore neto e infermierit për në Shqipëri është e pranueshme. Që njeriu do të jetojë më mirë, natyrisht që do të jetojë më mirë. Prandaj ta thashë që gara me paratë nuk fitohet kurrë. Si mendon ti, po t’ia dyfishojmë rrogën asaj a kemi zgjidhur gjë?! Prapë do të tundohet nga leku sepse një i sëmurë onkologjiku e ka trajtimin 1 mijë euro në muaj, një dozë bën 1 mijë euro dhe kur vjen me merakun që ilaçi mund të mbarojë sepse ishin mësuar.

Por nëse unë të them ty që nga 13 mijë vetë kemi pritur 18 mijë vetë, plus 5 mijë, ti mendon se u rrit me 40 për qind sëmundja në Shqipëri brenda një viti?! Jo moj jo. Këta 5 mijë veta paguanin me lekë në dorë nga xhepi. Sot nuk paguajnë. I marrin nga shteti. Nëse unë kam bërë një vit më parë 2200 koronare dhe sivjet janë 3170, 1 mijë më shumë, ku shkonin këta? U sëmurën më shumë shqiptarët? Jo, shkonin te privati. I kanë marrë pa para. Kjo është shëndetësia falas. Erdhën 2.8 herë më shumë gra që bënë mamografi dhe që nuk e bënin më parë, kjo është shëndetësi falas.

Prandaj ajo letër është e stisur, përmbajtja e letrës është perceptim jo real. Midis asaj që bëjmë dhe çfarë percepton publiku, jemi ne deficitarë. Sepse askush nuk e di që janë bërë 1 mijë më shumë koronarografi, që janë të gjitha të kushtueshme. Pra 44 për qind më shumë me 8 për qind më shumë buxhet. Janë minimumi 80 mijë euro që nuk i marrin spitalet private. A nuk stisin letra këta që s’po kanë më këtë punë që kanë patur?! Si do e mundim këtë fenomen? Duke ia bërë të gjithë shërbimet./

Intervistoi: Entela Resuli

—###—

Burimi: http://www.gazetadita.al/beqaj-bilanci-im-dhe-e-verteta-e-videos-2/