.

vije ndarëse

Postuar më: 18/10/2014

Diskutimi i Ministrit Beqaj në Kuvend për miratimin e buxhetit faktik 2013

Diskutimi i Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj në seancë plenare (16/10/2014) në Kuvend për miratimin e buxhetit faktik 2013

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Sigurisht që, nevoja për të miratuar këtë projektligj është një detyrim kushtetues, ky është buxheti i vitit 2013, që ne si Parti Socialiste kur është miratuar, e kemi kundërshtuar. Çfarë ka në këtë dokument, çfarë ka në gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit provojnë që, atëherë kemi qenë jo vetëm të drejtë dhe të saktë, por edhe kemi shpjeguar me detaje profesionalisht pse ai buxhet nuk duhej miratuar.

Këtë gjë e provuam edhe kur filluam punën në Qeveri, kur konstatuam se në çfarë gjendje ishin financat e shtetit, në çfarë gjendje ishin programet e ndryshme buxhetore të shpenzimeve, që duhet të përmbushnin në radhë të parë nevojat minimale jetike të qytetarëve shqiptarë, pavarësisht nëse kishin votuar ose jo, pavarësisht se kë kishin votuar, pavarësisht nga mosha a gjinia, apo pavarësisht nga vendi ku jetojnë.

Specifikisht, situata në shëndetësi ishte me të vërtetë problematike. Spitalet në fund të muajit shtator ishin të pafurnizuar me barna, të pafurnizuar me materiale mjekësore,  një pjesë e mirë e pajisjeve ekzaminuese dhe trajtuese biomjekësore nuk funksiononin. Ndërkohë që, edhe në shëndetësi, ashtu edhe në sektorë të tjerë, ishte akumuluar një borxh detyrimesh të pashlyera për furnizimet me barna, materiale mjekësore apo shërbime të tjera bazike, jetike apo ndihmëse, për spitalet dhe shërbimin shëndetësor parësor.

Jo vetëm kaq, por për fat të keq, edhë në muajin Gusht, edhe gjatë muajit Shtator, drejtuesit e mëparshëm kishin vazhduar të bënin veprime administrative, që jo vetëm nuk zgjidhnin situatat, por pengonin dhe vështirësonin më shumë funksionimin normal të sistemit të kujdesit shëndetësor. Mjafton që t’ju shpjegoj që në muajin Gusht ishte anulluar zbatimi i kontratës së mirëmbajtjes së pajisjeve të rëndësishme ekzaminuese që janë në QSUT: skaner, rezonancë dhe pajisje të tjera, në mënyrë krejt absurde, me pretendimin gjoja për të kontrolluar, por duke mos dhënë asnjë zgjidhje tjetër.

Sigurisht që, ishte e domosdoshme që të krijonim një stabilitet minimal, një funksionim normal të spitaleve tona për të ofruar një kujdes shëndetësor spitalor bazë.

Për këtë arsye, në fund të vitit të kaluar, megjithë shtrëngesat e mëdha financiare buxhetore, me gjithë vështirësitë normale administrative dhe proceduriale, ne arritëm që të furnizojmë me vlerë rreth 1,2 milion dollar më shumë barna, kryesisht citostatikë dhe materiale minimale mjekësore për QSUT-në; të vëmë në funksionim pajisje të rëndësishme biomjekësore në QSUT, në Spitalin e Traumës në Tiranë, në Spitalin Rajonal të Durrësit, në Spitalin Rajonal të Korçës; për të vendosur bazat e një funksionimi normal, siç ka filluar të ndodhë gjatë vitit 2014 dhe siç po vazhdojmë ta mbajmë këtë ritëm deri tani.

Sigurisht që, qoftë auditet e situatës që kemi gjetur, përpjekjet për të përmirësuar ndjeshëm funksionimin normal, shtesat e ndjeshme që janë bërë në buxhetin e vitit 2014, por edhe analiza e gjetjeve të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, na kanë ndihmuar për të krijuar një situatë më normale të furnizimit të spitaleve me barna dhe materiale mjekësore dhe praktikisht, në shumicën dërrmuese, spitalet tona sot, i kanë të gjitha barnat dhe materialet mjekësore të rëndësishme.

Për disa sëmundje, të cilat kanë shkallë më të lartë prevalence dhe incidence në Shqipëri, kur edhe kostot janë më të larta, jemi përpjekur të krijojmë një stabilitet në furnizim. Por, edhe gjë që është prapë e rëndësishme, për të gjitha pajisjet e rëndësishme biomjekësore në Tiranë dhe në gjithë spitalet rajonale, arritëm të krijojmë një kontratë mirëmbajtje afatgjatë, me risk të mbuluar në mënyrë të plotë 100%, në mënyrë që të mos kemi më këtë situatë problematike të mungesës së barnave dhe materialeve mjekësore, të mungesës së kiteve dhe reagentëve në laboratore, apo të mosfunksionimit të herë pas hershëm të pajisjeve biomjekësore.

Besoj se, buxheti i vitit 2013 do të jetë buxheti i fundit i keq për shqiptarët dhe besoj se, jo vetëm në vitin 2014, por edhe në atë që do të vijë, do të sjellim së shpejti si Qeveri, për buxhetin e vitit të ardhshëm, do të krijojmë bazat e një funksionimi normal të shtetit, marrjes përsipër të detyrimeve ndaj qytetarëve, të detyrimeve kushtetuese të përmbushjes së angazhimeve programore.

Faleminderit!

—###—