.

vije ndarëse

Postuar më: 14/11/2014

Diabeti dhe ushqyerja e shëndetshme, mbrojme të ardhmen tonë

NJOFTIM PËR MEDIA

Diabeti dhe ushqyerja e shëndetshme, mbrojmë të ardhmen tonë!
Tiranë, 14/11/2014

Fjala e Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Konferencën Mjekësore të organizuar sot në Tiranë: “Diagnostikimi i Hershëm i Diabetit”
organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Q.S.U.T. “Nënë Tereza”, Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor dhe Institutin e Shëndetit Publik Dita Botërore e Diabetit | 14 Nëntor 2014

—###—

Të nderuar pjesëmarrës,

Jam i kënaqur që marr pjesë në këtë konferencë mjekësore, që organizohet në Ditën Botërore të Diabetit, kur të gjitha komunitetet mjekësore dhe shoqatat e diabetit në Botë bashkohen në një zë të fuqishëm për të parandaluar diabetin, këtë “pandemi” të re globale.

Dëshiroj të përgëzoj veçanërisht organizatorët e saj, Ministrinë e Shëndetësisë, Q.S.U.T. “Nënë Tereza”, Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor dhe Institutin e Shëndetit Publik, pasi takime të tilla ofrojnë një mundësi të mirë për rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit për të gjithë organizmat dhe individët që janë përgjegjës për kujdesin ndaj personave me diabet, për të kuptuar dhe kontrolluar më mirë këtë sëmundje, si dhe faktorët rëndues e shpërthyes së saj.

Diabeti është një sëmundje që nëse nuk zbulohet dhe nëse nuk mjekohet në kohë dhe rregullisht, mund të shkaktojë ndërlikime serioze, të tilla si sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave, infeksione urinare, amputime të këmbëve, etj.

Prandaj, edukimi dhe ndërgjegjësimi për parandalimin e kësaj sëmundjeje kërcënuese ka një rëndësi të dyfishtë, pasi përveçse një sëmundje kronike me kosto të lartë shëndetësore, ajo mbart edhe një kosto të konsiderueshme sociale dhe ekonomike, për shkak se prek të gjithë komunitetin, i cili ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje.

Në vendin tonë raportohen afërsisht rreth 63 mijë diabetikë të njohur ose 2.9% e popullsisë adulte, ndërkohë, që numri i tyre duhet të jetë 2-3 herë më i lartë.

Rreth 50% janë të padiagnostikuar, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë.

Mosha më e prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti Tip 2 po haset përherë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç, duke prekur moshat aktive për punë, por këmbanat po bien ndërkohë që forma e diabetit 2 po ndeshet edhe tek fëmijët.

Diabeti që haset më shumë është ai i Tipit 2 me 90% dhe 10% Tip 1, ndërkohë që çdo vit, në vendin tonë, regjistrohen rreth 3000 raste të reja me diabet, nga të cilat, 25-30 janë fëmijë.

Në këtë këndvështrim, Qeveria dhe institucioni që unë drejtoj i ka kushtuar vëmendje të veçantë rritjes së rolit të shëndetit publik, dhe programeve të parandalimit e të promocionit shëndetësor.

Synimi ynë parësor është zgjatja e viteve të shëndetshme të jetës së popullatës shqiptare dhe parandalimi i fataliteteve të parakohshme duke rivendosur, ruajtur dhe përmirësuar shëndetin.

Kështu, viti 2015 do të jetë viti i zbatimit të plotë në 365 ditë të vitit i Programit të Kontrollit Shëndetësor Bazë Pa Pagesë, për të gjithë shqiptarët rezidentë të Grupmoshës 40-65 vjeç. Ky është edhe hapi i parë drejt vendosjes së Mbulimit Universal të kujdesit shëndetësor në vend.

Përveç aksesit të aksesit të plotë ku asnjë individ të mos mbetet pa kujdes shëndetësor, ky program shënon hapin e parë konkret drejt parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të sëmundjeve kryesore, që rrisin sëmundshmërinë, shtojnë invaliditetin, shkurtojnë vitet e shëndetshme dhe prodhojnë humbje të parakohshme jetësh njerëzore.

Prandaj, diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi në kohë i diabetit Tip 2 është pjesë paketës së programit të këtij kontrollit mjekësor bazë. Kështu, paketa e kontrollit ofron testin e aktivitetit fizik, ushqyerjes, alkool / duhan /stress / depresionit, tensionit arterial, peshës trupore, EKG-së, glicemisë, lipidet / urinën komplet.

Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së jetës, zgjatjen e kohës së fillimit të komplikacioneve të diabetit dhe pakësimin i hospitalizimeve, që janë kosto për individin, shoqërinë dhe për shërbimin shëndetësor.

Gjithashtu, pacientët diabetikë në vend trajtohen gjerësisht nga skema e barnave të rimbursueshme të FSDKSH, por edhe përsa i përket parandalimit vendosjes së treguesve të cilësisë pranë mjekut të familjes, për kapjen në kohë të sëmundjes dhe zgjatjen e kohës së fillimit të komplikacioneve.

Kështu, skema e sigurimeve është e ndjeshme, sidomos për kategoritë e të semurëve që vuajnë nga diagnozat kronike, sikundër është dhe sëmundja e diabetit, duke i trajtuar rreth 70 mijë pacientë çdo muaj me recetë të rimbursuar.

Diabeti si nosologji kronike zë vendin e dytë përsa i përket shpenzimeve të rimbursimit të barnave ose 17% të shpenzimeve të përgjithshme vjetore të rimbursimit.

Për këtë vit, janë 1.3 miliard lekë që FSDKSH parashikon vetëm për rimbursimin me barna të pacientëve me diabet.

Ndërkohë që shpenzimet për barnat anti-diabetike janë rritur ndjeshëm, po vihet re dhe shtimi i rasteve me diabet edhe tek fëmijët. Më konkretisht – janë 180 femije deri 14 vjeç që vuajnë nga diabeti Tip 1 dhe mjekohen me Insulinë, ndërsa në grupmoshën 14–18 vjeç, janë 130 pacientë të tillë.

Aktualisht në listën e barnave të rimbursueshme janë dy lloje Insulinash: Humane dhe Analoge (ose, me veprim të shkurter dhe me veprim të zgjatur), si dhe antidiabetikët oralë. Por përveç rimbursimit të barnave për diabetikët, ka mjaft sëmundje që shkaktohen si komplikacion nga diabeti, për të cilat FSDKSH garanton mbulimin me barna, siç janç problemet e veshkave, ato kardiologjike, verbëria që shkaktohet nga diabeti etj.

Por sigurisht, mbetet ende mjaft për të bërë lidhur me mbrojtjen e njerëzve nga faktorët e riskut të diabetit, të tilla si dieta e pashëndetshme apo pasiviteti fizik.

Për fat të mirë, ka mjaft mënyra praktike dhe me kosto të efektshme për trajtimin e diabetit dhe sëmundjeve të tjera jo-ngjitëse.

Monitorimi i tensionit të gjakut, apo përmirësimi i dietës dhe ushtrimi fizik, mund të ndihmojnë mjaft në uljen e shkallës së riskut dhe menaxhimit të simptomave të diabetit.

Këtë vit, Dita Botërore e Diabetit ka nё fokus jetesën dhe ushqimin e shëndetshëm, si një komponent i rëndësishëm i parandalimit dhe trajtimit të diabetit. Ushqyerja luan një rol të rëndësishëm në trajtimin e diabetit dhe ka si qëllim:

(1) Arritjen dhe/ose mbajtjen e një peshë të dëshirueshme tё trupit;
(2) Parandalimin e hiper apo hipoglycemisë; dhe
(3) Reduktimin e rrezikut të komplikacioneve.

Ushqimi i shëndetshëm dhe ushtrimi i rregullt mund të parandalojnë fillimin e diabetit Tip 2 dhe janë të rëndësishme në menaxhimin e të gjitha llojet e diabetit.

Prandaj, mesazhet kyçe: – “Ushqyerja e shëndetshme dhe Diabeti. Mbroni të ardhmen tonë.” – kanë për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për zgjedhje të shëndetshme, të cilat mund të jenë zgjedhje të lehta për personat me diabet. Dhe, në fokus të veçantë është rëndësia që ka vakti i mëngjesit të shëndetshëm.

Le t’i bashkohemi të gjithë mesazhit kuptimplotë të Ditës Botërore të Diabetit, duke u angazhuar gjithësecili për një jetesë e ushqyerje të shëndetshme dhe duke mundësuar që edhe bashkëqytetarët e tjerë të bëjnë të njëjtën gjë.

Faleminderit!

—###—