.

vije ndarëse

Postuar më: 23/06/2020

COVID19, Manastirliu: Gati hapja e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin

Fjala e plotë e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu

Përshëndetje të gjithëve!

Dua të vlerësoj që në fillim punën e stafeve mjekësore, të epidemiologëve, urgjencës kombëtare dhe të gjithë strukturave të shëndetësisë, që vijojnë të jenë në gatishmëri të lartë për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID19, gjithashtu dua të ndaj me ju planin për vijimin e përballimit të situatës në strukturat shëndetësore, duke besuar se do të vazhdojmë të kemi bashkëpunimin e secilit prej jush në zbatimin e rregullave dhe protokolleve të sigurisë, për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe sistemin tonë shëndetësor!

Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie si pasojë e situatës së shkaktuar nga SARS-COV2. Që do të thotë që do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes se epidemisë. Bazuar në ligjin për sëmundjet infektive, do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e çdo lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, do të vijojë karantinimi i personave të konfirmuar me COVID19 si rregull përgjatë gjithë kësaj gjendje, do të vijojnë të jenë në fuqi masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

Strukturat e Task-Forcës anti-Covid vijojnë të jenë të angazhuar 24/7 në të gjithë territorin, me kapacitet të plotë dhe çdo thyerje e rregullave do të konsiderohet kërcënim për shëndetin e popullatës.

Të dashur qytetarë,

Sikurse jeni në dijeni, situata epidemiologjike në vend ka patur një trend në rritje gjatë javëve së fundit sa i përket numrit të shtuar të rasteve pozitive ditore por edhe të shtrimeve në Spitalin Infektiv në QSUT, gjej rastin të apeloj sërish për rritjen e ndërgjegjsimit të çdonjerit prej jush, mbajtjen e rregullave të distancimit social, vendosjen e maskave aty ku duhet dhe ruajtjen e higjenës personale.

Janë armët e vetme që kemi, për të shmangur përhapjen e këtij virusi të rrezikshëm që është ende prezent. S’duhet ta lejojmë këtë virus të na infektoje, të infektojë të afërmit tanë, fëmijët e prindrit tane. Nëse në fazën e parë, me masat e shpejta ja dolëm me sukses ta zbusim kurbën e infektimit dhe të mbronim sistemin shëndetesor nga mbingarkesa, duhet të veprojmë po me kaq kujdes dhe vetëdije të lartë dhe në këtë fazë të dytë.

Kemi përgatitur disa skenarë për trajtimin e të sëmurëve të prekur nga ky virus, sikurse sistemi shëndetësor tashmë i hapur, po vijon me kapacitet të plotë dhe është futur në normalitet prej 1 muaji.

Por nëse nuk duan të shohim në vendin tonë pamje si ato të spitaleve në vendet fqinje, që shkuan deri në kolaps të sistemit, duhet të bëjmë të pamundurën për të parandaluar çdo mbingarkesë të shkaktuar nga ky infeksion.

Si bëhet kjo? Secili duke bërë detyrën e tij, të mbrojmë personelin shëndetësor, duke mos e rrezikuar atë nga pakujdesia apo neglizhenca.

Gjatë këtyre tre muajve ne kemi marrë të gjitha masat dhe kemi siguruar stokun e materialeve të mbrojtjes personale për stafet mjekesore, kemi rritur numrin e pajisjeve të nevojshme biomjekësore për trajtimin e pacienteve dhe kemi siguruar terapitë e mjekimit pa asnjë mungesë.

Me plotësimin e kapaciteteve në Spitalin Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin në rritje dhe jemi duke rekrutuar stafin mjekësor dhe infermieror që do të shërbejë në këtë spital. Paralelisht nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive do të rihapim Spitalin COVID 2, pra ish-Sanatoriumin, dhe në skenarin tjetër, në rast se shifrat kapërcejnë këto kapacitete do të kalohet tek spitali karantinë COVID4 në aksin Tiranë-Durrës.

Jemi duke u përgatitur për disa skenarë sipas planit të veprimit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Po sërish çdo qytetar është i lutur të mbrojë sistemin shëndetësor, të mos e vërë në sprovë. Vetëm duke treguar kujdes për masat më të thjeshta, parandalimi është e vetmja armë e sigurt ndaj këtij virusi, do të mund t’ja dalim edhe në këtë situatë.

Duke vlerësuar pa masa sakrificën e secilit prej jush gjatë fazës së parë, ju drejtohem të gjithëve edhe njëherë; të respektojmë rregullat dhe protokollet e sigurisë!

Në fund të këtij komunikimi, dua t’ju informoj për vendimin e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për transportin publik.

Komiteti Teknik i Ekspetëve vendosi heqjen e kufizimit për transportin publik, pra do të vijoj transporti publik ndërqyetetas dhe brenda qytetit, por me disa masa dhe protokolle të veçanta të cilat tashmë janë të miratuara dhe aprovuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Dua të theksoj se përdorimi i maskës gjatë udhëtimit si për ata që shërbejnë dhe për qytetarët që përdorin transportin publik do të jetë i detyrueshëm. Nuk do të ketë asnjë tolerancë nëse do të konstatohet mosrespektim i këtyre masave dhe rregullave të vendosura që janë të domosdoshme për të mbrojtur shëndetin e popullatës dhe për të mos lejuar përhapjen e SARS-COV2.

Faleminderit të gjithëve!