.

vije ndarëse

Postuar më: 18/11/2014

Buxheti i fillimit të zbatimit të plotë të Mbulimit dhe Aksesit Universal

“Buxheti i fillimit të zbatimit të plotë të programeve të para kombëtare të Mbulimit dhe Aksesit Universal”

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj në Seancën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë, Diskutimi i P/Ligjit të Buxhetit të Shtetit dhe Paketën Fiskale për Vitin 2015 | Tiranë, 17/11/2014

—###—

I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj Deputetë,

Erdhëm natyrshëm dhe në përmbushje të detyrimeve kushtetuese e ligjore në diskutimin në parim të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2015.

Hartimi i projektbuxhetit është bazuar në realizimin e buxhetit deri në këtë pjesë të vitit 2014, si dhe në kornizën e përgjithshme të kuadrit makroekonomik dhe fiskal për periudhën tre-vjeçare 2015–2017.

Por përpara se të ndaj me ju dhe me publikun çfarë është bërë në vitin 2014, besoj se është ende e nevojshme të risjellim në vëmendje gjendjen në të cilën e gjetëm vendin, financat publike, dhe posaçërisht, shëndetësinë shqiptare.

Në shtator 2013 spitalet tona ishin të pafurnizuar me barna dhe materiale mjekësore.

Në shtator e tetor 2013 shumë pajisje të rëndësishme diagnostikuese nuk punonin, dhe në rast defektesh, ishte praktikisht e pamundur t’i rregulloje, pasi papërgjegjshmëria e ministrit paraardhës i kish lënë pa kontrata mirëmbajtjeje.

Territoret e spitaleve tona ishin të pushtuara nga gjithfarë lloj barrakash e kioskash që vetëm me kujdesin shëndetëtsor, higjenën dhe rregullin nuk kishin të bënin.

Ndërkohë që borxhet për detyrime financiare të papaguara ndaj furnitorëve dhe ofruesve të ndryshëm të shërbimeve vlerësoheshin rreth 40 milionë USD.

Sigurisht, që kjo nuk ishte e papritur për ne. Në çdo aspekt, përfshirë edhe shëndetësinë. Megjithatë, besoj se 1 milionë vota i morëm në 23 qershor 2013, jo thjesht e vetëm pse dinim mirë sa keq ishte katandisur Shqipëria përfshirë edhe shëndetësia, por edhe sepse kishim një program serioz edhe pse ambicioz, si dhe kishim vendosmërinë për ta rilindur Shqipërinë, përfshirë edhe shëndetëtsinë shqiptare.

Sot situata është krejt më ndryshe.

Kemi arritur të shlyejmë 55% të borxheve të prapambetura. Janë fondet e disponueshme për të shlyer të gjithë shumën prej 40 milionë USD deri në fund të vitit 2014.

I’a kemi dalë të sigurojmë furnizim më të plotë e të vijueshëm të spitaleve tona me barna e materiale mjekësore. Një listë që për vitin 2014 kishte shumë më tepër barna se sa në vitin 2013, dhe sasitë janë më të mëdha, duke i’a dalë të dyfishojmë fondet për barnat citostatikë.

I’a kemi dalë të sigurojmë funksionim të vijueshëm të pajisjeve kryesore biomjekësore, sepse së pari, arritëm t’i vëmë në gjendje të plotë pune dhe aktualisht i kemi vënë nën regjimin e kontratave të mirëmbajtjes afatgjatë të mirëmbajtjes me mbulim të plotë të rrezikut nga defektet e mundshme apo zëvendësimi i pjesëve që konsumohen nga volumi i përditshëm i përdorimit.

Gjatë këtij viti kemi fuqizuar kapacitetet diagnostikuese imazherike dhe biokimiko-klinike.

  • 60 EKG më shumë;
  • 60 spirometra më shumë;
  • 3 ECHO zemre më shumë;
  • 3 pajisje të provës së ngarkesës kardiake më shumë;
  • Skaner të ri në spitalin e Traumës;
  • Rezonancë e re magnetike për spitalin e Traumës (SUT);
  • Angiograf i ri për QSUT-në;
  • Angiograf i ri për spitalin rajonal të Shkodrës;
  • 2 mamografë të lëvizshëm;
  • Vënie në punë e akseleratorit linear në shërbimin e neurokirurgjisë;
  • Pajisje të reja në laboratorin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”;
  • Pajisje të reja në laboratorin e spitalit rajonal të Durrësit;
  • Pajisje të reja në laboratorin e spitalit rajonal të Fierit;
  • Pajisje të reja në laboratorin e spitalit të Vlorës;
  • Pajisje të re për analizën  e markuesve tumoralë në QSUT.

Dhe frytet janë të dukshme. Po ju sjell krahasimet midis 10 muajve të parë të vitit 2014 me të njëjtën periudhë të vitit 2013 në tre spitale me dimension kombëtar.

Në QSUT, dy herë më shumë ekzaminime imazherike.

Në Spitalin e Traumës (SUT apo spitali ushtarak) 36% më shumë ekzaminime imazherike.

Në Spitalin (universitar) “Shefqet Ndroqi” (apo senatorium) dy herë më shumë ekzaminime imazherike.

Në QSUT 20% më shumë ekzaminime klinike-biokimike.

Në Spitalin e Traumës (apo spitali ushtarak) 43% më shumë ekzaminime klinike-biokimike.

Në Spitalin (universitar) “Shefqet Ndroqi” (apo senatoriumi) 22% më shumë ekzaminime klinike-biokimike.

Ka një situatë krej të re dhe dinamike në tregun e barnave. Kemi ulje të çmimit të tregtimit të barnave dhe ulje tjetër, prej rreth jo më pak se 20%, do të ketë edhe në vitin e ardhshëm.

Ne u angazhuam se do ta hiqnim taksën e sëmundjes, TVSH-në mbi shërbimet e kujdesit shëndetëtsor dhe barnat. Dhe e bëmë realitet që nga data 1 prill 2014. E rikonfirmuam edhe në korrik me ligjin e ri të TVSH-së.

Do të doja të ishin sot këtu deputetët e Opozitës. Sepse, debatin mbi TVSH-në mbi barnat e kemi bërë që në vitin 2010, kur u vendos për herë të parë. U thamë që barnat do të shtrenjtohen dhe kështu ndodhi. Ata pretenduan të kundërtën. Debati u ribë dhjetorin e kaluar, por me role të përmbysura. Pretenduan se heqja e TVSH-së nuk do të ulë çmimin e barnave. Ja ku jemi. Mjafton të shihni raportimet e INSTAT për matjen e inflacionit për secilin nga 7 muajt nga prilli në tetor. Edhe barnat, edhe shërbimet spitalore kushtojnë më pak.

Me ligjin e ri të TVSH-së, madje shkuam përtej angazhimit programor. Hoqëm TVSH-në 20% për të gjitha pajisjet mjekësore të implantueshme, përfshirë pra, ato të kardiologjisë, stomatologjisë, ortopedisë, etj.

Sigurisht, që ligji i ri barnave dhe ligji i ri i materialeve mjekësore që miratuam në korrik 2014, si dhe Agjencia e re Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të rrisin sigurinë e barnave dhe materialeve mjekësore, duke synuar që as barnat, dhe as materialet mjekësore, të mos kushtojnë më shumë se sa në vendet e origjinës.

Ne e zgjeruam listën e barnave të rimbursueshme me 55 barna të reja. Duke futur edhe molekula të reja, edhe alternative të reja të origjinatorëve ekzistues.

Për t’i ardhur sa më pranë shërbimit të pacientëve disa barna të të sëmurëve kronikë i ofrojmë prej 1 shtatorit 2014 edhe në spitalet rajonale.

Ne u angazhuam në Programin Qeverisës se do të hapim kantierin e shëndetësisë. Kështu,

  • Kemi shërbim të ri urgjence në spitalin rajonal të Vlorës.
  • Kemi shërbim të ri urgjence në spitalin rajonal të Kukësit.
  • Kemi shërbim të ri të pediatrisë në spitalin rajonal të Vlorës.
  • Kemi kabinet të ri të kimioterapisë dhe kujdesit paliativ në spitalin rajonal të Durrësit.
  • Po punojmë për kabinete të reja të kimioterapisë në spitalin (universitar) “Shefqet Ndroqi” dhe në spitalet rajonalë Korçë, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër.
  • Kemi pajisje të reja në vlerën 410 mijë USD në shërbimin e kardiokirurgjisë në QSUT.
  • Kemi 10 inkubatorë të rinj në dy maternitetet e Tiranës.
  • Kemi 5 respiratorë të rinj dhe 10 monitorë të rinj në reanimacionin e spitalit (universitar) të Traumës.
  • Kemi reanimacion të ri të kardiologjisë në spitalin (universitar) “Shefqet Ndroqi”.
  • Kemi kabinet të ri të fertilizimit in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni”.
  • Pajisje të reja për spitalin e rikonstruktuar të neurologjisë me vlerë 200 mijë USD.
  • Kemi vënë në punë akseleratorin linear në shërbimin e neurokirurgjisë në QSUT.
  • Pajisje të re për mikromanipulime me lazer në shërbimin e ORL-së.
  • Filluam ndërtimin e bunkerit të ri për akseleratorin linear në shërbimin e onkologjisë (QSUT) me kapacitet për dy njësi.

Jo vetëm që kemi rritje të numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalet kryesore të vendit, por rivumë në funksionim edhe shërbimin e kirurgjisë së përgjitshme në spitalet e Kavajës dhe atë të Bajram Currit, ku që prej pranverës, janë realizuar deri tani, përkatësisht 125 dhe 100 ndërhyrje kirurgjikale.

Por i’a dolëm të përfundojmë financimin e të gjitha investimeve ndërtimore të nisura dhe të “lëna rrugëve pa financim”, si:

  • Ndërtimin e spitalit të ri psikiatrik në Vlorë, me vlerë 1,4 milionë USD;
  • Bunkerin e neurokirurgjisë dhe rikonstruksionin e spitalit të neurologjisë në vlerën 1 milionë USD;
  • Zgjerimin e spitalit (universitar) “Shefqet Ndroqi” në Vlerën 1,1 milionë USD;
  • Rikonstruksionin e maternitetit “Koço Gliozheni” në vlerën 350 mijë USD.

Ndërkohë, gjatë këtij viti po përgatisim projektet e zbatimit të:

  • Spitalit të ri rajonal në qarkun  e Fierit;
  • Godinës së qendrës së Shërbimit të Urgjencës Mjekësore;
  • Godinës së konsultave në QSUT;
  • Shtëpisë të shëndetit mendor në qytetin e Korçës.

Investime janë realizuar dhe po realizohen edhe në shërbimin parësor, ku përfshihen:

  • Rikonstruksioni i poliklinikës së specialiteteve nr 2 në Tiranë;
  • Qendër e re shëndetësore në Divjakë;
  • Qendra shëndetësore në Koplik;
  • Qendra shëndetësore në Rrogozhinë;
  • Qendra shëndetësore në komunën e Anës së Malit (Shkodër);
  • Realizimi i dhomave të plumbosura ku do të vendosen pajisje diagnostikuese në Korçë e Tiranë.

Ne hartuam dhe po vëmë në zbatim programin kombëtar të kontrollit bazë shëndetësor për të gjithë shqiptarët rezidentë në grupmoshën 40–65 vjeç. Janë rreth 900 mijë shqiptarë që janë të fuar, që një herë në vit të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit dhe të bëjnë kontrollin bazë shëndetëtsor, ku përfshihen:

a) Vlerësim, këshillim, trajtim dhe ndjekje për faktorët e stilit të jetesës;

b) Matje, vlerësim, këshillim, referim dhe ndjekje e parametrave fiziologjikë;

c) Matje, vlerësim, këshillim, trajtim, referim dhe ndjekje e parametrave biokimikë.

Ky kontroll bazë shëndetësor ofrohet pa pagesë për çdo qytetar, pavarësisht nëse është, apo jo, i siguruar për kujdes shëndetësor.

Është hapi i parëmadhor dhe konkret drejt Mbulimit Universal. Është pa pagesë për qytetarët, por sigurisht që kushton. Prandaj, për çdo procedurë individuale kontrolli do të paguhen nga buxheti i shtetit 1,536 lekë (plus TVSH).

Mbulimi Universal është një objektiv madhor, por për ta bërë të prekshëm për këdo duhet ta shoqërojmë me Aksesin Universal.

Prandaj, përveç se në secilën prej 415 qendrave shëndetësore, kontrolli bazë do të ofrohet edhe me anë të 5 njësive të lëvizshme, të cilat do të jenë në dispozicion të qytetarëve që banojnë larg qendrës shëndetësore, dhe sidomos, për zonat e thella, ku ndryshe nga procedura e zakonshme, ku kushdo do të mund ta bëjë kontrollin bazë gjatë muajit të lindjes, kontrolli do të ofrohet në periudhën 1 maj – 30 shtator të çdo viti.

Ne kemi hartuar e miratuar kuadrin ligjor e rregullativ, kemi hartuar protokollin mjekësor të kontrollit, kemi hartuar manualin e trainimit, kemi trainuar trainerët dhe po trainojmë personelin mjekësor dhe infermieristik, kemi përzgjedhur sipërmarrësin privat që do të bëjë investimin fillestar dhe që do të realizojë logjistikën e përditshme për një periudhë 10-vjeçare, do të fillojmë shumë shpejt një program masiv informimi për publikun.

Gjatë sezonit turisktik veror në arritëm të sigurojmë një prani më të shtuar e të zgjeruar më pranë plazheve tona për të lehtësuar mbarëvajtjen e sezonit turisitik. Ndërkohë, ligji i ri për shërbimin e urgjencës mjekësore është miratuar para rreth dy javësh, dhe po punojmë për të hartuar aktet nënligjore, protokollet mjekësore dhe kurrikulat e trainimit.

Kemi marrë një program asistence teknike nga USAID-i me vlerë rreth 500 mijë USD. Për të forcuar kapacitet e shërbimit të urgjencës mjekësore këtë vit, – siç publiku është i njohur, – po blihen 20 autoambulanca të reja dhe 1 helikopter i ri për urgjenca mjekësore. Në bashkëpunim me Ministrinë e Turizimit kemi filluar punën për sezonin e ardhshëm turistik, me synimin, që në periudhën 15 maj – 15 shtator të kemi kemi rreth 15–20 qendra shëndetësore të përkohshme shumë pranë përqëndrimit të turistëve.

Në funksion të mbarëvajtjes së sezonit turistik, por edhe në shërbim të kujdesit të shëndetit të qytarëve nga rreziqet që vijnë nga vektorët, ne realizuam për herë të parë pas rreth 25 vjetësh dezinsektimin e bregdetit tonë. Përvoja e këtij viti na shërben për të realizuar, duke nisur nga viti i ardhshëm, një program të përvitshëm më të gjerë, më të plotë e më të shtrirë në kohë gjatë vitit.

Gjatë vitit 2014 janë përfshirë nën sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetëtsor edhe vajzat dhe gratë që janë viktima të trafikimit të qënieve njerëzore për periudhën pasi dalin nga strehëzat ku banojnë në periudhën e parë.

Ne jemi angazhuar në Programin Qeverisës se do të ofrojmë vëmendje të shtuar për sëmundjet kardiovaskulare dhe tumorale. Dhe i’a kemi dalë të bëjmë një gjë të tillë.

Sëmundjet Tumorale

  • Ne dyfishuam në vitin 2014 fondet në dispozicion të blerjes së barnave citostatikë;
  • Përfshimë barna të rinj citostatikë në listën e rimbursimit;
  • Përfshimë barna të kujdesit paliativ në listën e rimbursimit;
  • Punësuam 8 onkologë të rinj;
  • Blemë dy mamografë të levizshëm;
  • Ofruam në muajin tetor ekzaminime mamografie pa pagesë, në mënyrë të lirë dhe me orare të zgjatura në të gjitha qytetet ku kemi mamografë;
  • Vumë në funksionim akseleratorin nuklear në shërbimin e neurokirurgjisë ku që prej muajit qershor janë realizuar 69 seanca radioterapie për 8 pacientë, ndërsa radiokirurgjia është përdorur për trajtimin e 24 pacientëve;
  • Shtuam në shërbimin e ORL-së një mikro-manipulator lazer për ndërhyrjet në stadet fillestare të kancerit të laringut;
  • Hapëm kabinetin e kimioterapisë në spitalin rajonal të Durrësit dhe me fondet e buxhetit 2014 po furnizojmë pajisjet e nevojshme për sptalin (universitar) “Shefqet Ndroqi” dhe në spitalet rajonalë Korçë, Vlorë, Elbasan e Shkodër;
  • Miratuam ligjin e ri për kujdesin paliativ;
  • Përfshimë në kontrollin bazë shëndetësor pa pagesë ekzaminimin e feçes për gjakun okult për të parandaluar tumorin kolono-rektal.

Sëmundjet kardiovaskulare

  • Rritëm në vitin 2014 me 40% fondet për materialet mjekësore të kardiologjisë mini-invazive dhe kardiokirurgjisë. Ne do të arrijmë të realizojmë për herë të parë 3000 ndërhyrje koronare në vit në QSUT;
  • Po blejmë një angiograf të ri për kardiologjinë në QSUT;
  • Po blejmë një angiograf të ri për spitalin rajonal të Shkodrës, me qëllim që vitin e ardhshëm, ta ofrojmë për herë të parë këtë shërbim në spitalet publike edhe jashtë Tirane;
  • Vumë në përdorim 60 aparate EKG, 3 ECHO kardiake dhe 3 pajisje të provës me ngarkesë;
  • Përfshimë në kontrollin bazë shëndetëtsor pa pagesë ekzaminimet kardiake;
  • Gjashtë ndërhyrje të kardiologjisë mini-invazive dhe kardiokirurgjikale do të ofrohen edhe në spitalet jopublike.

Shëndetëtsia elektronike (e-Health) është një angazhimet kryesore të programit tonë. Për këtë qëllim gjatë këtij viti:

  • filloi të zbatohet programi i shëndetëtsisë elektronike e-Health i financuar me një kredi të qeverisë austriake me vlerë 14 milionë euro;
  • ekspozuam me një aplikim të dedikuar në web listën e plotë të barnave të rimbursueshme 2014 (aplikimi online e-Barna);
  • po realizojmë në Durrës projektin pilot të recetës elektronike;
  • po ndërtojmë një program të automatizuar për procedurat administrative të Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore për të siguruar transparencë maksimale të mundshme me të gjithë subjektet e interesuara në tregun e barnave dhe të materialeve mjekësore;
  • po ndërtojmë një program që kontrollon në mënyrë të përditshme shpenzimet dhe gjendjen e stokut të barnave dhe materialeve mjekësore në spitalet universitare dhe ato rajonale;
  • kemi realizuar një program ku po inventarizojmë burimet njerëzore të shëndetësisë, pajisjet biomjekësore dhe godinat e mjediset e qendrave shëndetësore parësore dhe spitalore;
  • sipërmarrësi i kontraktuar për kontrollin bazë do të ngrejë dhe mirëmbajë edhe regjistrin kombëtar të kontrollit bazë;
  • kemi hartuar dhe miratuar kuadrin rregullativ që deri në maj 2017 të ngrejmë të gjithë regjistrat e sëmundjeve në vend;
  • ndërkohë, ka vazhduar shtrirja e telemjekësisë edhe në Korçë, Vlorë e Kukës.

Të vetëdijshëm për mungesat e mëdha që kemi trashëguar në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor si dhe për faktin se do të duhet të qeverisim në një kontekst burimesh të kufizuara financiare dhe njerëzore në një të ardhme jo vetëm të afërt, ne jemi angazhuar në Programin tonë Qeverisës se do të bashkëpunojmë me institucionet jopublike shëndetësore, duke financuar 100% elementë të caktuar të kujdesit shëndetësor, apo paketa të shërbimeve të kujdesit shëndetëtsor, siç i quajmë. Për këtë, që prej muajit qershor janë miratuar 10 paketa, ku përfshihen:

  • dializa;
  • transplanti i veshkës me dhurues të gjallë përfshirë flakjen akute;
  • implanti koklear;
  • angiografia koronare;
  • angioplastika koronare;
  • by-pass koronar;
  • pacemaker definitive;
  • intervente kongenitale;
  • intervente valvolare.

Janë lidhur tashmë kontratat me disa spitale jopublike. Paketat e kardios dhe transplanti i veshkës do të fillojnë brenda muajit nëntor të këtij viti.

Në Shqipëri ka një mungesë të theksuar të personelit shëndetësor, sidomos të atij mjekësor, e veçanërisht, të atij të specializuar jashtë Tirane. Prej disa vitesh, specializmet në mjekësi nuk janë ofruar. Ne po i rihapim ato, madje brenda këtij viti. Në shtator, këtu në Kuvend rithemeluam bazën ligjore, mbi të cilën do të funksionojnë urdhërat e profesionistëve të shëndetësisë.

Gjatë vitit 2014 të gjithë mjekët dhe infermierët përfituan nga vendosja e taksës së ndershme. Ata do të kenë përkatësisht një gjysëm rroge, apo një rroge neto më shumë, krahasuar me vitet kur zbatohej taksa e sheshtë.

Por, unë besoj se furnizimi më i plotë dhe i vijueshëm me barna dhe materiale mjekësore i spitaleve tona, furnzimi më i plotë e i vijueshëm i laboratoreve tona me kite e reagentë shoqëruar me fuqizimin e bazës laboratorike, funksionimi  i vijueshëm i pajisjeve diagnostikuese biomjekësore, që paraqitja në mënyrë më të shtjelluar më lart gjatë kësaj fjale janë një ndihmë edhe për vetë personelin mjekësor, për më shumë siguri në përcaktimin e diagnozave dhe terapive kuruese apo shëruese.

Ndërkohë, për të gjithë personelin shëndetësor që është në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët e pacientët duke filluar nga ky vit e në mënyrë të përvitshëm ne ofrojmë vaksinën e gripit qoftë për të mbrojtur shëndetin e personelit mjekësor dhe familjeve të tyre, qoftë për të penguar që vetë personeli mjekësor të mund të kthehet në faktor nxitës i përhapjes së virusit të gripit.

 

Çfarë ka në vija të përgjithshme buxheti për shëndetësinë në vitin 2015?

Buxheti 2015 për kujdesin shëndetësinë është 41,3 miliardë lekë.

Për herë të parë buxheti i shëndetësisë kalon 40 miliardë lekë apo 400 milionë USD.

Buxheti 2015 për kujdesin shëndetësor është 2,8% e PBB-së. Ky nivel u arrit për herë të parë në 2014 dhe konfirmohet edhe në 2015.

Buxheti 2015 për kujdesin shëndetësor është 22,3 miliardë lekë më shumë se sa në vitin 2014 apo 6% më i madh.

Buxheti 2015 për kujdesin shëndetësor është 4,6 miliardë lekë më shumë se sa buxheti i vitit 2013.

Ndërkohë buxheti i kujdesit shëndetësor në vitin 2013 u rrit me 5,6 miliardë lekë krahasuar me vitin 2009.

Pra në dy vite ne kemi bërë një rritje sa 85% e asaj që qeverisja e mëparshme bëri në 4 vjet.

Me lejoni ta përmbledh me pak fjalë buxhetin e vitit 2015 për shëndetësinë:

Është buxheti i fillimit të zbatimit të plotë të programeve të para kombëtare të Mbulimit Universal dhe të Aksesit Universal.

Padyshim, do të kishte qënë shumë më mirë nëse në sallë të ishin edhe deputetët e opozitës. Të dëgjonin edhe vetë se çfarë është bërë në 1 vit të qeverisjes së koalicionit tonë. Sa dhe si është zbatuar programi i qeverisë në këta 14 muaj. Për të ballafaquar çfarë kemi bërë në këtë vit të para krahasuar me 8 vitet e qeverisjes së mëparshme.

Por mbetemi të vetëdijshëm se shqiptarët meritojnë edhe më shumë. Edhe më shumë do të bëjmë me buxhetin e vitit 2015.

Faleminderit!

—###—