.

vije ndarëse

Postuar më: 16/10/2014

Beqaj: Të dish sa jetë të ka mbetur, e drejtë legjitime

Beqaj: Të dish sa jetë të ka mbetur, e drejtë legjitime

Tiranë, 16/10/2014 – Ligji i ri për kujdesin paliativ i detyron mjekët që t’u tregojnë pacientëve sa kohë jetë u ka mbetur dhe sipas ministrit të Shëndetësisë, kjo plotëson një boshllëk në kujdesin shëndetësor. Gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme plenare (16/10/2014), ministri Ilir Beqaj theksoi se është e drejtë legjitime e pacientëve që të mësojnë kohën e mbetur për të jetuar.

Shërbimet shëndetësore, përmes të cilave ofrohet kujdes paliativ në Shqipëri, janë shërbimi në kujdesin shëndetësor parësor dhe shërbimi hospis. “Hospisi është njësia e specializuar multidisiplinare e shërbimit të kujdesit paliativ, ku mund të ofrohen të paktën, një nga shërbimet e mëposhtme: shërbimi në banesë, shërbimi me shtretër, apo ditor”, tha ai.

Ndërkohë, theksoi se, këtë vit qeveria ka një vëmendje më të madhe ndaj personave me sëmundje tumorale. Si rezultat i kësaj, buxheti, i përcaktuar për këta të sëmurë, është rritur ndjeshëm. “Në buxhetin afatmesëm 2015-2017 janë parashikuar fondet e nevojshme. Sigurisht që ka një periudhë 9-mujore ku qeveria duhet të përgatitë dhe të vërë në zbatim të gjitha aktet nënligjore të nevojshme, por fakti që është përfshirë në buxhetin afatmesëm dhe që është përfshirë në projektligj, na bën të jemi të sigurt që edhe këtë shërbim mund ta ofrojmë në spitalet tona”, tha Beqaj.

Aktualisht shërbimi paliativ ofrohet në Tiranë, nëpërmjet shërbimit onkologjik në banesë, si edhe në dy qytete të vendit nga qendra private. Shërbimi paliativ synon ofrimin e shërbimit për të sëmurët terminalë ose personat në fazën e fundit të jetës. Çdo vit, në vendin tonë vdesin një numër mjaft i madh i të sëmurëve me kancer, duke bërë që situata të jetë vërtet alarmante.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në seancën plenare për miratimin e Projektligjit të Kujdesit Paliativ.

—###—

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Zonja dhe zotërinj deputetë, sigurisht projektligji që paraqitet për miratim para jush është një projektligj i rëndësishëm, që ne besojmë se plotëson një boshllëk që ekziston prej kohësh, në një mënyrë të saktë dhe të plotë të ofrimit edhe të kësaj pjese të kujdesit shëndetësor. Bëhet fjalë për sëmundje që janë në një stad të avancuar dhe për të sëmurë që janë në një stad terminal.

Deputeti parafolës, zoti Pendavinji, e paraqiti plotësisht se çfarë ka projektligji. Ajo që dua të them unë fillimisht në emër të Qeverisë është se në buxhetin afatmesëm 2015-2017 janë parashikuar fondet e nevojshme për vënien në zbatim në mënyrë të plotë të këtij projektligji. Ka një periudhë disa mujore deri në nëntë muaj, ku qeveria duhet të përgatisë dhe të vërë në zbatim të gjitha aktet nënligjore të nevojshme, por besoj se fakti që është përfshirë në buxhetin afatmesëm, ne edhe pa përfunduar projektligji, kemi filluar punën për hartimin e protokollove të nevojshme për zbatimin edhe të kësaj pjese, na bën të jemi të sigurt që edhe këtë shërbim të munguar të mund ta ofrojmë në spitalet tona.

Projektligji bazohet edhe në një strategji për të luftuar sëmundjet tumorale të miratuar në vitin 2011, një strategji 10-vjeçare.

Unë dua të shfrytëzoj momentin për të falënderuar në radhë të parë të gjitha ato organizata jofitimprurëse, të cilat prej vitesh e ofrojnë në Shqipëri këtë shërbim.

Dua të falënderoj fondacionin “Soros”, i cili ka mbështetur hartimin e këtij projektligji dhe po mbështet hartimin e protokollove, si edhe kontributin e vyer të dhënë nga deputetët e Komisionit të Shëndetësisë gjatë diskutimeve të projektligjit, por përderisa flitet për të sëmurë me sëmundjet tumorale dhe për sa kohë jemi në muajin tetor, që është muaji i ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit, do të më lejoni të them edhe disa gjëra më shumë se çfarë kemi bërë në një vit qeverisje për sëmundjet tumorale.

Së pari, dua të sjell në vëmendjen tuaj se sëmundjet tumorale së bashku me ato vaskulare janë të përcaktuara në programin e qeverisë si dy grup sëmundjesh që duhet të kemi kujdes më shumë, për faktin, sepse janë me prevalencë dhe me incidencë më të lartë në Shqipëri. Janë grup sëmundjesh që shkurtojnë jetën e shëndetshme, duke krijuar invaliditete afatgjata dhe pastaj kthehen në kosto sociale dhe ekonomike për shoqërinë dhe për të gjithë vendin.

Në këtë infografik kushdo mund të shikojë në mënyrë të përmbledhur se çfarë kemi arritur të bëjmë në këta 13 muaj. Besoj se kemi mbuluar në mënyrë të plotë të gjithë spektrin e kujdesit që duhet të jetë ndaj një sëmundjeje, sepse, në radhë të parë, kemi punuar për parandalimin. Që në tetor të vitit 2013 ne lehtësuam dhe bëmë zero disa tarifa që ekzistonin për gratë e pasiguruara, për kujdesin shëndetësor për sëmundjet tumorale, ndërsa në muajin tetor 2014 meqenëse përkon edhe me muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, e kemi bërë zero tarifën e këtij ekzaminimi, pavarësisht se gruaja është e siguruar apo jo, duke e nxjerrë nga sistemi i referimit, duke ftuar gratë të bëjnë vizita parandaluese.

Unë mund t’ju them se, nëse lëmë mënjanë Tiranën, ku bëhen disa vizita edhe sipas sistemit të referimit, sepse në Shërbimin Onkologjik është shërbimi universitar, numri i vizitave, ekzaminimeve të bëra nga data 1 tetor deri më 15 tetor është sa 85% e vizitave të bëra në 9 muajt e parë të këtij viti. Kjo do të thotë se nëse arrijmë të krijojmë një ndjeshmëri, heqim edhe disa barriera ekonomike, arrijmë të ftojmë shumë më tepër njerëz në programet parandaluese.

Barrierat ekonomike dhe financiare janë njëri aspekt, por për fat të keq në Shqipëri ndeshemi edhe me barriera gjeografike, të cilat shpeshherë i pengojnë njerëzit të marrin kujdesin e nevojshëm që ata kanë nevojë dhe meritojnë. Për këtë arsye në buxhetin e vitit 2014 u parashikua blerja e dy njësive të lëvizshme të mamografisë, të cilat sot kanë ardhur në Shqipëri, do të fillojnë të funksionojnë gjatë këtij muaji dhe do të jenë të vendosura pranë Institutit të Shëndetit Publik.

I kemi vënë aty qëllimisht, sepse ky i fundit ka në themel të punës së tij promocionin, parandalimin dhe financohet në mënyrë të plotë nga buxheti i shtetit. Me këto njësi mamografike në të ardhmen, që vitin 2015 dhe në vijim, në bazë të një kalendari të përcaktuar dhe të shpallur paraprakisht, do të ofrohet edhe ky shërbim në zonat rurale të vendit apo edhe në ato zona më të vogla urbane, ku distanca nga vendbanimi te spitali rajonal është e tillë që shpeshherë kthehet de facto në barrierë për të mos e marrë këtë lloj shërbimi.

Ndërkohë, në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në vitin 2014 ka funksionuar në mënyrë të plotë laboratori për pjesën e markuesve tumoralë. Unë mund t’ju them se aty është bërë dhe do të bëhet deri në fund të vitit një numër i tillë ekzaminimesh, të cilat vitin e kaluar nuk bëheshin aty, por në privat. Kjo do të thotë se qytetarët shqiptarë nuk kanë shpenzuar më nga xhepi i tyre, nga buxhetet familjare 280 mijë dollarë është kostoja e këtyre analizave, por tani i marrin falas në mënyrë të rregullt në QSUT.

Prej muajit maj funksionon akseleratori linear në Shërbimin e Neurologjisë dhe Neurokirurgjisë, ndërsa me kredinë e miratuar në muajin mars këtu në Kuvend, do të vihet në shfrytëzim edhe një akselerator linear në Spitalin Onkologjik. Është një kredi austriake në vijim të paketës së plotë që qeveria austrike ka dhënë për shëndetësinë në Shqipëri.

Jemi në procedurat e fillimit të punës për ndërtimin e bunkerit, në mënyrë që vitin e ardhshëm edhe në Shërbimin e Onkologjisë të mund të kemi akseleratorin linear, që është një vlerë e shtuar në radioterapinë që do t’u ofrohet pacientëve shqiptarë.

Në vitin 2014 buxheti për barnat citostatikë u dyfishua në krahasim me vitin 2013. Sasia e barnave u rrit edhe më shumë, sepse ne arritëm të marrim edhe çmime më të mira nga negocimi. Siç dihet është hequr tatimi mbi vlerën e shtuar ndaj tyre, pra kemi arritur të realizojmë një furnizim shumë më të mirë për këtë shërbim. Disa barna të rëndësishme u futën këtë vit edhe në listën e barnave të rimbursueshme për të shmangur edhe momentin e boshllëqeve që mund të krijohen nga furnizimi jo i vijueshëm i spitaleve.

Shërbimin e kimioterapisë do të fillojmë ta ofrojmë edhe në spitale të tjera përveç spitalit universitar. Javën e ardhshme do të fillojë të funksionojë ky shërbim në spitalin rajonal të Durrësit, ndërsa me rialokimin e buxhetit që u miratua me aktin normativ që u paraqit në Kuvend para disa javëve, janë parashikuar fondet dhe kanë filluar procedurat në mënyrë që ky shërbim të hapet edhe në Spitalin (Universitar) “Shefqet Ndroqi”, ish-senatoriumi (ose) spitalin e (sëmundjeve të) mushkërive, në (spitalet) Korçë, në Vlorë, në Elbasan dhe në Shkodër.

Edhe pse ligjin “Për kujdesin paliativ” po e miratojmë sot, në listën e barnave të rimbursueshme që është në fuqi, nga muaji prill u përfshinë edhe katër barna për shërbimin paliativ. Pra, në këtë një vit qeverisje ne kemi arritur të ofrojmë një kujdes të shtuar, më shumë barna, laboratorë që funksionojnë, pajisje ekzaminuese mamografike që funksionojnë në të gjithë vendin. Kemi rritur edhe burimet njerëzore, sepse në muajin qershor mbaruan specializimin 12 mjekë onkologë dhe 8 prej tyre kanë filluar punë në spitalet tona. Kjo është një pjesë e asaj që jemi angazhuar të bëjmë në programin e Qeverisë.

Besoj se këto që thashë janë shprehje që tregojnë përmbushjen e këtyre angazhimeve, si përmirësimi i cilësisë, përmirësimi i furnizimit të vijueshëm, sidomos heqja e barrierave ekonomike dhe gjeografike. Po luftojmë shumë për të hequr edhe barrierat kulturore. Këto janë premisa shumë të mira që ne mund të përmbushim brenda këtij katërvjeçari angazhimin tonë kryesor që është mbulimi universal i financuar nga taksimi i përgjithshëm.

Ju faleminderit!

—###—