.

vije ndarëse

Postuar më: 09/09/2020

Agjencia e re Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Manastirliu: Vendosëm standardin e munguar në strukturën e vetme të kontrollit të cilësisë së barnave

Tiranë, 9 Shtator – Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë marrë pjesë në përurimin e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
“Ky investim i qeverisë, vendos standartin e munguar në strukturën e vetme të kontrollit të cilësisë së barnave dhe pajisjeve mjekësore në vend”, tha Manastirliu në fillim të fjalës së saj.
Duke u ndalur tek investimi më i ri i qeverisë, Ministrja u shpreh se Agjencia tani ka të gjitha kushtet për të qenë një rregullator i mirëfilltë i tregut dhe shërbimit farmaceutik.
“Kjo Agjenci tashmë disponon kushtet për të qenë një rregullator i mirëfilltë i tregut dhe shërbimit farmaceutik, nga produktet e importit tek prodhimi vendas, njësoj si simotrat në Europë. Laboratorët e rinj të ndërtuar e pajisur, janë garancia, për të rritur sigurinë e barnave. Dyfishohet numri analizave dhe gama e tyre, duke realizuar analiza për kategori barnash që nuk janë kryer ndonjëherë, si psh. ato citostatike (tumorale), imunoterapitë dhe gjithë kategoritë e tjera të produkteve farmaceutike, duke aplikuar procedurat e Farmacopesë Europiane, në të cilën tashmë jemi anëtarë. Laboratoret e rinj, me pajisjet e reja, do të sjellin ndryshimin e pritshëm sa i përket kontrollit dhe cilësisë së barnave në treg”, tha Manastirliu.
Në fjalën e saj Manastirliu tha se investimet në infrastrukturë janë vetëm një komponent i programit të qeverisë me qëllim mbulimin shëndetësor universar duke shtuar së falë reformës në shërbimin farmaceutik sot më shumë se 450 mijë qytetarë përfitojnë barnat falas.
“Herceptina nuk është më makthi për gratë që vuajnë nga tumori i gjirit. Sot, jam krenare që bëmë realitet mbulimin me 100 përqind të kësaj terapie, e cila i ofrohet falas çdo gruaje që lufton me këtë sëmundje. Rritëm me 30 milion dollarë financimin për rimbursimin e barnave për të sëmurët kronikë. Sot, mbi 450 mijë qytetarë, përfitojne falas barnat sipas terapive të mjekimit në listën e rimbursimit”, tha Manastirliu.
Manastirliu theksoi si një komponent të rëndësishëm revolucionin digjital të nisur tashmë për të eliminuar burokracitë ndërkohë që shtoi se po punohet për ngritjen e sistemit të kontrollit të rrugëtimit të ilaçeve nga prodhuesi tëk konsumtatori.
“Një seri shërbimesh tashmë janë online dhe po punojmë për dosjen elektronike, për regjistrimin e barnave, autorizimet online dhe me integrimin me strukturat e tjera të kontrollit. Sfida e rradhës është ngritja e sistemit “track and trace”, që do garantojë kontrollin e rrugëtimit të çdo bari, nga prodhuesi tek konsumatori”, tha Manastirliu.

Pas ndërtimit të depos së re farmacutike në QSUT, ky është investimi tjetër i rëndësishëm për shërbimin farmaceutik në vend, për cilësinë dhe sigurinë e barnave. Rikonstruksioni i Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore është një investim i qeverisë shqiptare, që përfshin ndërtimin e dy laboratorëve modernë për kontrollin e sigurisë dhe cilësisë së barnave.
Para këtij investimi, numri total i analizave që mund të kryente laboratori ishte deri në 300 analiza, ndërkohë me shtimin e aparaturave të reja të teknologjisë më të mirë dhe sipas standardeve ndërkombëtare numri i analizave të barnave që do të kryhen është dyfishuar.
Godina e re përfshin sportele të dedikuar për bizneset për regjistrimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore, për herë të parë dhoma të posaçme frigoriferike për ruajtjen e mostrave, si dhe dy laboratorë modernë, krejtësisht të rinovuar, për testimin e barnave dhe materialeve mjekësore.